Socialus14 Mar 2008 02:17 am

Shumë shpesh kemi dëgjuar në lidhje me abuzimet tek femijët si dhe me mungesën e një politike konkrete mbrojtëse për to sikurse kemi dëgjuar jo rrallë herë për përpjekjet që qeveria aktuale po bën për të ndihmuar biznesin i madh apo i vogël qoftë ai.

Ky kontrats ngjarjesh sigurisht që në hyrjen e mësipërme të bën të mbetesh gojë hapur për aq kohë sa nuk mund ta gjesh lidhjen mes dy situatave në vendin tonë. Mirëpo pasi lexova shkrimin e STANDARD, nr 166, në lidhje me femijët shqiptarë të braktisur e pa mbrojtje dhe deklaratën e UNICEF për këtë problem, të them të drejtën nuk u cudita dhe pasi s’është hera e parë që shqiptarët degjojnë të tilla probleme dhe për më tepër ne perballemi përditë me fëmijë lypës, fshirës xhamash të makinave në bulevardet kryesore dhe “banorë” të përhershëm të parqeve në kryeqytet.Por ndryshe nga ajo që UNICEF theksonte në deklaratë, se gjakmarrja po cënon arsimimin e fëmijëve, unë mendoj se ka një mori problemesh dhe gjakmarrja nuk është i vetmi faktor negativ.Për aq kohë sa ministri Pollo shprehet se do të ndërtojë 100 shkolla për të pa arsimuarit dhe nuk ka vënë asnjë gur në themel dhe për aq kohë sa ai nuk ka dhënë asnjë afat se kur do të fillojë ndërtimi i shkollës së parë dhe se kur do të vendoset tjegulla e fundit e shkollës së njëqindtë, a mundemi ne t’ja hedhim sërisht fajin gjakmarrjes apo prindërve të papërgjegjshëm?
Koha ka treguar se propaganda dhe demagogjia të sjell dicka: simpatinë e përkohëshëm tek njerëzit.Por ndryshimi i prekshëm të shpie akoma më larg.Të bën të fitosh një besim të gjatë dhe një emër të mirë për komunitetin.Për tu kthyer sërisht në “kontrastin” e mësipërm dhe lidhjen midis kësaj gjëndje shqetësues për fëmijët dhe lehtësimin e bizneseve, ajo që më erdhi ndërmend ishte roli i qeverisë si rregullator midis subjekteve tregtare dhe organizatave të ndryshme në vendet perëndimore. Kështu përshembull, në shkëmbim të uljes së taksës për një subjekt tregëtar nga ana e shtetit, ky i fundit duhet të ketë financuar më parë ose të vazhdojë të financojë një organizatë që lobon për të drejtat e njeriut dhe femijët.Këto politika të ndjekura prej vitesh jo vetëm në perëndim por kudo në vendet me kulturë demokratike dhe shoqëritë e civilizuara, mbi të gjitha kanë sjellë dukshëm uljen e shkallës së analfabetizmit dhe të varfërisë.
Mendoj se ky shembull është jo pak i nevojshëm që të ndiqet edhe tek ne.I tillë mekanizëm do të sillte mbi të gjitha një ndryshim të dukshëm dhe pozitiv të problemit në fjalë dhe gjithashtu do ti ofronte qeverisë një arsyetim më bindës kur vjen puna për deklaratat në lidhje me uljen e tatimeve dhe cmimit të energjisë për bizneset.Për më tepër, do të justifikonte dhe thënien e urtë të popullit se njëra dorë lan tjetrën dhe të dyja lajnë fytyrën.

Socialus14 Mar 2008 02:16 am

Mbi artikullin për Shqipërinë “Toka që koha harroi” nga A. A. Gill (në foto), botuar dje (23 Korrik, 06) në britaniken “The Sunday Times Magazine” (suplementi i së djelës)

Lajmi se na qenkësh botuar një shkrim për Shqipërinë në gazetën angleze “The Sunday Times”, doli nga vetë faqet e saj, çau mes për mes kontinentin dhe arriti në dyert e mediave tona. Pak a shumë e njëjta ironi si te “Legjenda e Misrit” me përjashtim se kësaj rradhe artikullin s’e kish shkruar i Madhi MIGJENI por një gazetar i rëndomtë me një emër të cuditshëm AA Gill i cili e kish njohur vendin tonë nga distanca.

E ndërsa shqiptarët e Shqipërisë dhe Kosovës po mundohen të bëjnë hapa përpara drejt institucioneve europiane, pavarësisë së tyre si komb dhe paprekshmërisë së të drejtave të njeriut, shqetësuese është që të shkruhet një artikull i tillë nga një kryeqytet i madh dhe i respektuar sic është Londra.
Zoti apo zonja Gill thotë se aeroporti jonë kombëtar quhet “Nënë Tereza” pasi është e vetmja shqiptare e famshme dhe kjo e fundit u largua nga vendi pse këtu ka popullsi 70% muslimane.
Por gazetari harron, ose më saktë nuk ka informacionin e nevojshëm, se Skënderbeu, Aleksandër Moisiu, Ismail Kadare dhe shumë të tjerë, kanë qenë dhe janë shqiptarë, njerëz të lindur dhe rritur në atë vend që gazeta “The Sunday Times” e quan të harruar nga koha.

E sikur të mos mjaftonin vetëm këto, artikulli vijonte më pas me disa akuza demagogjike të cilat kapeshin pas emrave të kompanive ajrore.Kaq e nevojshme ishte vallë që emrin Albatros, që është sipas tyre një zog ogurzi, ta identifikonin me simbolin tonë kombëtar.Me siguri se keni harruar faktin që ne kemi shqiponjën dykrenare në flamur.Si duke s’keni cfarë të shkruanit tjetër dhe e zgjasni artikullin në atë farë menyrë sa arrini të thoni se adoleshentët shqiptarë janë ato që vishen më keq në Europë.Pa dashur t’i bëj reklamë ndonjë biznesi rrobash, s’po përmend emra por ju bëj thirrje juve dhe të tjerëve të cilet kanë dyshim të tilla, të dalin një shëtitje në dyqanet tona dhe në bulevarde gjithashtu.

Të rinjtë tanë janë ato të rinj të cilët kanë dalë me rezultate të shkëlqyera në vendin tuaj.
Janë ato të rinj që ndjekin universitetin e Oxfordit disa kilometra larg redaksisë tuaj dhe që ngrejnë flamurin e shkollës vit për vit si shenjë nderi që u japin në rradhë të parë rezultatet e tyre në mësime e më pas shoqëria dhe komunitetin ku jetojnë dhe edukohen çdo ditë.
Te gjithe e dinim se gazetaret edhe i ekzagjerojne gjerat deri diku, por jo deri aty sa te flasin per nje komb mijeravjecare sikur po flasin per nje lagje te Kandaharit.

S’është faji jonë pse kemi një arkitekturë të kryeqytetit të trashëguar.Ç’rendesi ka se është arkitekturë fashiste apo komuniste, siç e quani ju.Ne s’dijmë ndonjë rast ku Shqipëria e vogël në drejtimin e fashistëve italiane apo komunistëve shqiptarë të këtë kryer ndonjë agresion ndaj një shteti tjetër?
S’e kemi pushtuar ne Indinë dhe as filmi “Sandokan” s’është prodhim i Kinostudios “Shqipëria e Re” por është dhimbje i atij populli që ju e keni bërë të vuaj gjatë, sikurse ne Perandoria Osmane.
Po mundoheni ta identifikoni Shqipërinë si një komb që këtë zhvillim e ka si pasojë të kulturës së saj.
Ne e kemi prejardhjen nga pellazgët e ilirët, njerëz të cilët që në kohët e lashta ndryshe nga popujt e tjerë, hanin ulur sic hame ne sot ne Shek XXI dhe jo shtrirë.

Besoj se e kuptoni trashëgimin kulturore dhe historike që kemi ne sot.Jetojmë me shpresë por jo me ndjenjën e keqdashjes ndaj të tjerëve.Kjo na ka bërë tu rezistojmë shekujve dhe Konferencës së Ambasadorëve në Londër qe ishte pjelle e politikes tuaj me 1913.
Në qoftë se se dini as këtë, më mirë heshtni!

PS: Artikullin e “The Sunday Times” mund ta gjeni ketu: http://www.timesonline.co.uk/article/0,,2099-2271185,00.html

Medium14 Mar 2008 02:15 am

Kryesisht në botën e zhvilluar, liria e shtypit është një nga faktorët bazë për të cilësuar një shoqëri si të drejtë dhe të paanshme.Shkëmbimet, shpesh herë kritike apo joshëse dhe tërheqëse, janë një kërkesë e domosdoshme për një shoqëri demokratike dhe funksionale. Nga ana tjetër, zhvillimet e jashtëzakonshme të teknologjisë së telekomunikacionit në dekadën parardhëse dhe në vazhdim kanë modernizuar mënyrën e transmetimit të lajmeve në cdo anë të botës duke u mjaftuar vetëm me një klikim të mouse-it apo vetëm me shtypjen e një butoni.

Shqetësuese për publikun dhe disa organizata vëzhguese të ndryshme është fakti nëse raportimet e mediave,dhënë mbi cështje apo ngjarje të ndryshme, jepen me objektivitet dhe paanshmëri apo janë të krijuara nëpërmjet imazheve grafike, interesave komerciale dhe dramatizimit.
E ndërsa media e përgjithshmë mban pergjegjësi për pastërtinë dhe origjinalitetin e gazetarëve, këta të fundit duke qenë se shpesh herë kanë marrëdhënie me njerëz dhe vende të privilegjuar, kanë një shkallë të lartë dhe të konsiderueshme pavarësie në dhënien e lajmit.
Një tjetër cështje po me kaq rëndësi, vënë në dukje nga shumë organizata vëzhguese në lidhje me mediat, është dhe sasia e burimeve dalëse të mediave, shpesh herë të kontrolluara nga një individ i vetëm apo kompani e një me një drejtues absolut, që rrjedhimisht do të sillte një kufizim të opinioneve të ndryshme që do ti servireshin publikut. Për këtë arsye, lexues të interesuar dhe të vendosur, në të shumtën e rasteve gjejnë rrugë dhe mënyra të tjera për të arritur burimin e vertëtë.
Ajo që më shqetëson më tepër në vendin tonë, nuk është vetëm historia e hidhur e mungesës së një tradite shumë vjecare në fushën e medias së pavarur.
Aktualisht po ndeshemi me një mori rubrikash dhe emisionesh televizive te kopjuara si dhe me një numër të madh termash dhe opsionesh për persona publikë të ndryshëm.Kemi shumë raste kur një drejtues emsioni “talk show”, vetem pse prononcohet për një cështje dite apo jave, merr titullin analist, komentator, opinionist etj.Por ajo që i ndryshon nga analistët botërorë është dicka fare e thjeshtë; që të quhesh një analist nuk duhet thjeshtë të flasësh një herë në javë për dicka në një media elektronike apo të shkruar, por të bësh krahasimet dhe të nxjerrësh diferencën në rrugë logjike.Në rradhë të parë është e nevojshme të njihesh me faktin që na rrethon; me gjëndjen e shtypit në vend dhe atë në botë; me gjëndjen dhe kushtet ku jeton popullsia; bindjet politike të shumicës nëse janë koherente apo të gabuara dhe cdo ishte më e mira për ta duke u bazuar në gjëndjen aktuale të botës.

Megjithatë duhet saktësuar se këto “kauza” të medias nuk po i kalon vetëm vendi ynë por shumica e vendeve të ish-bllokut lindor.Kjo vjen sic e thashë edhe mësipër, nga mungesa e një traditë të shtypit të pavarur dhe e shumë faktorëvë të tjerë.
Ndryshe nga perëndimi, atje nuk hasim të njëjtat probleme dhe kriza.Në shumë vende të zhvilluara perëndimore, shqetësimet në lidhje me shtypin janë të një natyre tjetër. Mbeshtetës të shprehjes së lirë, janë të alarmuar nga censurimet në pothuajse cdo kanal të mediave.Kjo ndodh kryesisht në ato raste kur kemi kundërshtime nga disa gazetarë ndaj politikës së luftës që shtete të ndryshme po bëjnë të grumbulluar në një koalicion.

E gjitha kjo nuk do të thotë se gjëndja larg kufirit tonë është më alarmuese por se etapat të cilat po kalojmë ne aktualisht, ato i kanë hedhur pas supeve me kohë dhe se tani po përballen me gjëra më të vështira në thelb por më të lehta për tu bërë ballë pasi kanë një eksperiencë në përballimin e këtyre situatave penguese për një burim informacioni të pavarur.
Megjithëkëtë, në vende të tjera, qeveritë kanë ndërtuar marrëdhënie të mira me mediat që në shkëmbim të një raportimi të saktë, japin një mbulim artificial dhe tendencioz të gjëndjes aktuale, duke mos dhënë informacionin e saktë dhe që e bën publikun të jetë më larg të vërtetës.Kjo nuk sjell vetëm mos informimin e publikut por edhe kontrollimin e medias nga shteti për interesa politike.Po të shohim rastet e shteteve me karakter diktatorial si Bjellorusia, Kuba apo Korea e Veriut do ta kuptojmë edhe më mirë.Mjafton të përmendim faktin se në Kubë ekziston vetëm një gazetë zyrtare që quhet “Granma” dhe që bën politikat dhe propagandën shtetërore.
Në vendet ku censura është më e fortë, gazetat, meqë kundërshtojnë disa interesa të shtetit janë ndërprerë, kanalet televizive po ashtu, komentatorët kritikë dhe gazetarë të pavarur janë burgosur apo torturuar, dhe faqe interneti të ndryshme filtrohen apo bllokohen fare.
Në këto vende që sapo përmendëm shohim se ka një desidencë në rradhët e gazetarëve dhe shkrimtarëve të cilët duke e pasur të pamundur të gjejnë mbështetje në mediat shtetërore, e “shesin” mendimin e tyre në internet apo botojnë diku gjetkë nëpër shtypin ndërkombëtar kryesisht duke përdorur pseudonime.Por në një rast ideal, është në natyrën e cdo gazetari të drejtë dhe me guxim që ta raportojë lajmin pikërisht sic është dhe sic e shohin ata, shpesh herë duke rrezikuar dhe jetën.
Të gjithë ato gazetarë të cilët bien preh e presioneve apo korruptohen dhe nuk shkruajnë atë që shohin dhe mendojnë, duhet të kujtojnë vetëm një thënie të
Frank Zappas; Gazetarët mund të shkruajnë se mbreti ka vdekur, dhe pavarësisht se ai është shëndoshë e mirë, populli niset për në ceremoninë e lamtumirës së tij.
Pra, keqinformimi nuk sjell gjë tjetër vecse shkakton dëme sociale dhe destabilitet për të gjitha mediat.

Politika14 Mar 2008 02:15 am

Mund te jete edhe keshtu:

Post Besnikum dhe post Spartakum tashme eshte rradha e Sokolit.
Kryeministri ja ka marre doren mesa duket; zgjedh kandidimin perballe Rames per t’i shkarkuar nga c’do post ato qe jane te sukseshem deri diku ne detyren e tyre.E para u provua me Besnik Mustafajn por kjo jo se Berisha e priste rezultatin e humbjes por sepse ishte thjeshte nje eksperiment.Kur kjo u vertetua nga te gjitha palet politike, atehere Berisha “sakrifikoi” Ngjelen, nje pretendent real per detyren e ministrit te drejtesise apo edhe te kryeministrit deri sa Berisha hoqi dore nga ambicia per tu rizgjedhur president dhe mori huqet e Nanos, Berluskonit apo Karamanlis.

U pa e udhes se meqenese Rama fitoi popullaritetin e nevojshem dhe te pa ndryshueshem, mund te perdorej nga kreu i PD-se vetem per nje qellim te cilin Rama ja lejonte dhe vazhdon tja lejoje atij me nje deshire te madhe.Pra ai pranon me apo pa vetedije, qe me nje gure te vrase dy zogj; te rizgjidhet per te disaten here ne krye te bashkise se kryeqytetit dhe njekohesisht te shkarkoje nga funksioni i deputetit ose ministrit kundershtarin e djathte qe deri diku eshte piketuar si pretendent per fronin e partise apo qeverise nga ana e liderit demokrat te plakur Berisha.

Sondazh pas sondazhi e pyetesor pas pyetesori, na rezolton 3 zgjedhje rrjesht se fitues do jete kandidati i djathte por per cudi fiton ai i se majtes.Sigurisht qe me te drejte, une por dhe shume te tjere, kemi te drejte te besojme ne nje teori konsiparicioni qe u thuret ketyre kandidateve se sondazhet paraprake tregojne se ato jane fitues.Kjo teori mund te quhet fare mire “tu hedhim hi syve”.Ajo qe me habit ne fakt eshte mos pjesmarrja e Bamir Topit, nje politikani te vjeter dhe te rendesishem ne PD, ne qeverisje apo zgjedhjet vendore.Njoh shume te majte te cilet edhe do e votonin ate si kryebashkiak per respekt te origjines se tij tiranase por mesa duket Bamiri nuk eshte ende i bindur per kandidimin apo se lejojne.Mbase e sakrifikojne per president apo dicka gjetke…

Megjithate po kuptojme se pas Besnik Mustafaj e Spartak Ngjeles rradhen e ka Sokol Olldashi, minister i cilesuar si i sukseshem nga kryeministri.Nese eshte vertete keshtu dhe nese kjo qeveri eshte jetegjate, askush nuk mund tja ndaloje te drejten Olldashit te kerkoje postin e kryeministrit ne te ardhmen.

E vetmja pergjigje per mua eshte; ta sakrifikojme Olldashin dhe ta nxjerrim ne profesion te lire.Sali Berisha ka zgjedhur daten e gabuar per “kurban” por megjithate Zoti meshirplote do ja fale.Me besoni.

Medium14 Mar 2008 02:14 am

Nuk mundet qe nje klase politike e nje vendi ne zhvillim te kete te njejten filozofi te te arsyetuarit si nje klase politike e nje vendi qe ben nje lufte per te mbijetuar.
Nese te dyja keto klasa do kishin te njejten menyre te te arsyetuarit, atehere do kishim te benim me nje rast hipokrizie apo jo-serioziteti nga ana e tyre dhe si pasoje do kishim nje qendrim te dyshimte dhe jo te lehte per tu besuar.
Keshtu pershembull, ne nje rast ideal, nje i ri rus i kohes se sotme nuk do e vleresonte njelloj rolin e gazetes “Pravda” (”E verteta”) si dikur ne gjysmen e pare te shekullit te XX-te.
Megjithate ajo qe mbetet per tu theksuar eshte se shtypi ne Rusi (Dikur kryeqendra e Bashkimit Sovjetik) ka pasur nje hov te madh si ne vitet gjate Revolucionit te Kuq te Tetorit, gjate viteve te socializmit, ashtu edhe pas kolapsit te komunizmit.

Ajo qe i dallon keto zhvillime nga njeri-tjetri jane kushtet sesi u zhvilluan ato dhe funksioni i tyre.

Pershembull:

Shtypi rus gjate Revolucionit te Tetorit (1917) nisi si dicka e re per lexuesin rus.Fillimisht nisi botimi i gazetes “Iskra” (”Shkendija”) e drejtuar nga V.I.Lenin e me pas “Pravda”.Te dyja keto gazeta perbenin nje risi per lexuesin por nga ana tjeter perbenin nje organ qendror e teper te rendesishem per Partine Bolshevike dhe revolucionaret.

Nepermjet shtypit, kjo parti dhe udheheqesit e saj, tejçonin zerin e tyre dhe benin propaganden politike ne skajet me te largeta te vendit.Gazetat paten nje rendesi aq te madhe per manipulimin e lexuesit me demagogji saqe vete udheheqja e Partise Bolshevike e cilesoi ate mjetin me te forte pas Ushtrise se Kuqe.

Madje per kete, Lenini do shprehje: “Gjithmone kam dashur tu jap dicka te mire por qe tu dhuroj nje revolucion, me dhuroni nje gazete.”

Por pas periudhes se revolucionit (behet fjale per vitet 1918-1939), lexuesi rus u perball pervec ketyre organeve te shtypit edhe me nje numer te madh gazetash e revistash kryesisht te fushave profesionale qe benin nje risi per te dhe si pasoje njerezit filluan te blinin dhe te shfletonin nje numer te madh gazetash.
Keshtu mund te permendim gazetat “Fronti”, “Trud” (Puna), “Sajuz” (Bashkimi), “Komsomol” (Rinia Komuniste), “Pravda” (E verteta), “Izvestija” (Ylli) etj…

Shtypi sovjetik gjate periudhes socializmit solli dicka te re dhe te frikeshme njekohesisht per lexuesin pasi atyre u duhej te perballeshin me nje seri artikujsh e shkrimesh qe luftonin e kritikonin ashper perendimin dhe njekohesisht provokonin Luften e Ftohte.Gjithashtu gazetat duke qene se kontrolloheshin totalisht nga shteti, percillnin tek lexuesi (konkretisht tek masat e medha), nje fryme te manipuluar politike dhe ecidenca fiktive te prodhimeve bujqesore dhe industriale.

Pavaresisht ketij kontrolli te shtetit mbi median e shkruar e ate elektronike, gjate periudhes se socializmit ne Bashkimin Sovjetik pati disa perpjekje nga studentet e Universitetit te Leningradit (St.Peterburg) per te botuar nje gazete te vogel ku permbante disa poezi te censuruara te Majakovskit, Eseninit dhe poezi erotike te Pushkinit.Kjo gazete u quajt “Fletorka” dhe qarkullonte dorazi neper duart e studenteve.Kjo njihet si perpjekja e pare per shtypin e lire ne Bashkimin Sovjetik dhe pikerisht ne vitet `60.

Por pavaresisht kesaj perpjekjeje, informacioni ra ne dore te qeverise e cila i ndeshkoi shume shpejt dhe ashper studentete organizatore te saj duke e cilesuar veprimin e tyre si aktivitet antipopullor e antirevolucionar dhe vete studentete si desidente dhe perkrahes se frymes e Trockit (ish udheheqes rus i revolucionit i debuar nga nga BRSS nga Stalini pas vdekjes se Leninit).

SHTYPI POST KOMUNIST NE FEDERATEN RUSE

Me shperberjen e Bashkimit Sovjetik ne fund te viteve `80, lindi nevoja per krijimin e mediave te reja ne vend te drejtuar nga private dhe qe te percillnin nje fryme te re demokratike e emancipuese per vendin.Mirepo shperberja e ketij shteti qe deri dikur kishte qene nje superfuqi teper e rrezikshme per boten, nuk solli vetem nevojen per krijimin e mediave ne Rusi por ne 11 ish-republikat e tij.Gjithashtu nje problem tjeter qe shtrihej para ruseve ishte se nese Partia Komuniste duhej ti trashegonte ato gazeta si pasuri te saj apo duhej te krijonte organe te reja shtypi dhe gazetat ekzistuese ishin ne varesi te shtetit.
Pas nje debati te gjate mbi kete ceshtje, PK e Federates Ruse mbajti gazeten “Pravda” dhe ate “Komsomol”, nderkohe qe nje numer i madh gazetash rane ne dore te shtetit dhe akom e kesaj dite drejtohen nga Kremlini duke perbere keshtu nje problem te madh dhe kercenim te vertete per shtypin ne Rusi.

Meposhte kemi nje liste te gazetave te krijuara pas viteve 90;

“Argumentu i Faktu” - Argumenti dhe Fakti
“Biznes” - Biznesi
“Doçki - Materi” - Vajza dhe Nena
“Komersant” - Tregetari
“Komsomoslkaja Pravda” - E verteta e Rinise Komuniste
“Lodon Info”
“Maskovskie Novosti” - Lajmet moskovite
“Novaja Gazeta” - Gazeta e Re
“Trud” - Puna
“Zdorovije” - Shendeti
“Vremja Novosti” - Lajmet e Kohes

PROBLEMET E SHTYPIT PAS RENIES SE SOCIALIZMIT

Sipas organizates prestigjioze nderkombetare “Reportere pa Kufinj”, Rusia ze vendin e 147-te nga 168 vende, ne klasifikimin per raportin World Press Freedom (Liria e Shtypit ne Bote).

Qe prej vitit 1992 ne Rus jane vrare 50 gazetare nga te cilet 30 jane vrare gjate qeverisjes se presidentit Boris Jelcin dhe pjesa tjeter gjate drejtimit te shtetit nga Vladimir Putin.
Megjithate keto te dhena nuk jane te sakta pasi ato kane ndryshuar shume dhe jane ne perkeqesim.

Vetem ne vitin 2006, sipas Glasnost Defence Foundation (Fondacionit te Mbrojtjes Glasnost), 9 gazetare jane vrare dhe 11 te tjere jane plagosur ne zyrat e redaksive te gazetave te tyre.

Ndersa viti 2005 ka shifra me alarmante: 6 gazetare te vdekur, 53 te sulmuar, 12 te sulmuar ne zyrat e tyre, 23 raste censurimesh, 43 persekutime per shkak te detyres, 11 gazeta te nxjerra jashte ligjit, 47 gazetare e fotoreportere te arrestuar dhe shume e shume te tjera.

Gjithesej, vetem ne vitin 2005, kemi te bejme me 356 raste diskriminimi te gazetareve per shkak te detyres.

GAZETARIA E PASIGURTE DHE NE RREZIK

Gazetarja me e njohur ruse, Ana Politkovskaja, e famshme per kritikat e saj te ashpra ndaj presidentit Putin, sulmeve te Rusise mbi Çeçeni, dhe qeverise çeçene pro-Kremlinit, u ekzekutua ne Moske me 7 tetor te vitit 2006 e pikerisht diten e ditelindjes se presidentit Vladimir Putin.

Trupi i pajete i gazetarit rus Kostandin Borovski, u gjet mengjesin e se henes (dt. 22.01.2007) ne qytetin e Vladivastokut.Ai prezantonte nje emision ne mengjes ne rubriken e argetimit ku shpesh here ironizonte autoritetet qeveritare.Sipas kolegeve te tij, vrasja jo detyrimisht eshte politike por sidoqofte kjo tregon mungesen e sigurise dhe mos perkrahjene gazetareve ne vend.

Pas ketij rasti, Federata Nderkombetare e Gazetareve u shpreh se qe me ardhjen e presidentit Putin ne krye te shtetit, kemi te bejme me vrasjen e 40 gazetareve dhe qe nga viti 1993, jane vertetuar 300 vrasje te gazetareve per shkak te detyres pa pasur nje fajtor per asnje nga keto raste.

Ish oficeri rus i KGB (Komitetit te Sigurimit te Shtetit), Olieg Kordievski, beson se vrasjet e Ana Politkovskaja, Aleksander Litvinienkos dhe Juri Shashekoçikin (autor i librit “Sllavet e KGB-se”), tregojne se FSB (dikur KGB), eshte rikthyer duke perdorur metodat e vjetra te vrasjeve politike duke vene ne veprim ish Departamentin e Trembedhjete te KGB-se.

ZGJIDHJET ALTERNATIVE

Duke u ndodhur ne nje trysni kaq te madhe, shume prej gazetareve apo atyre qe mendojne ndryshe dhe duan ta shprehin ate ne media, kane menduar nje zgjidhje alternative per te percjelle fjalen e tyre ne publik.
Keshtu, Partia Nazional-Bolshevike dhe konkretisht organizata e saj AKM, boton nje gazete ilegale te titulluar “Limonka” (sipas emrit te kryetarit te saj Eduard Limonov), por pa e vendosur adresen dhe emrat e shkrimtareve ne te.
Gjithashtu shume grupe te tjera apo gazetare te ndryshem, kane zgjedhur qe ti botojne shkrimet e tyre pergjithesisht me karakter kritik, ne faqe te ndryshme interneti te krijuara posacerisht ne forme gazetash.
Mund te permendim ketu faqen me te madhe ruse qe kryeson per vizitat e lexuesve
www.zavtra.ru .Emri i gazetet on-line pra, eshte Zavtra qe do te thote Neser.
Gjithashtu edhe ekstremistet e majte qe kane frike te botojne organet e tyre te shtypit, kane zgjedhur te krijojne nje portal te vertete qe terheq shume vizitore.adresa e tij eshte
www.rednews.ru (Lajme te Kuqe) dhe ne brendesi ka artikuj nga shume gazeta te ndryshme te dikurshme apo te soteshme, pershembull nga gazetat “Patriot”, “Duma” (Dhoma), “Pravda”, “Pravda Rosii” (E verteta e Rusise) etj.

Medium14 Mar 2008 02:13 am

Duke qene nje nga mediat me moderne dhe me te ndjekura, televizioni ka luajtur nje rol jashtezakonisht te rendesishem ne vendimarrjen personale te teleshikuesit.Kjo vendimarrje mund te jete ne aspektin shoqeror, politik, ekonomik etj.Keshut pershembull TVSH apo sic quhet sot televizioni publik shqiptar, ka luajtur nje rol teper te rendesishem ne jeten e shikuesve per 35 vjet me radhe.Por duke qene e vetmja media televizive ne vend nuk krijonte mundesine qe njerezit te kishin edhe alternativa te tjera per te zgjedhur.Keshtu vitet 1996-1997 shenojne nje kthese te madhe te situates televizive ne vend.
Fillojne te lindin televizionet e para private ne vend dhe si rrjedhoje ndryshojne edhe marredheniet e popullit me median.

Televizionet e para private ishin; Shijak TV (1995), KLAN (1997), Tele Arberi (1996), Teuta (1997), Alba (1996) si edhe shume stacione te tjera me te reja si pershembull Koha TV, Top Channel, News 24 etj.

Mirepo kryeqendra e ketyre stacioneve televizive dhe vija fillestare e transmetimit te programacionit te tyre ishte vetem Tirana dhe disa zona te qyteteve kufizuese me te.Nisur nga kjo, u ndje nevoja e krijimit te mediave lokale pasi banoret e qyteteve te tjera kerkonin me teper burime alternative per vendimarrjen e tyre vec TVSH.
Fondacioni i Medias se Soros deri ne vitin 1998 numeronte 31 kanale televizive ne te gjithe Shqiperine.

Une mendoj se pikerisht ne vitin 1997, teleshikuesi eshte ndikuar me shume se asnjehere tjeter nga TV pasi ne kete kohe sapo u krijuan TV private dhe nuk ekzitonte akoma nje juridiksion qe te rregullonte punen dhe programin e tyre.Po te marrim si shembull faktin se televizione ekzistuese ne vitin 1997 transmetonin pamje filmike te “vjedhura” nga EuroNews dhe BBC dhe qe shprehnin dhune dhe pamje makaber te trazirave te atij viti, sigurisht qe kjo ka ndikuar ne dicka, ndoshta ne izolimin ne shtepi te shume banoreve te qyteteve te medha e te vogla dhe shkaktimin e nje ndjenje frike dhe paniku tek ato.

Gjithashtu ne televiozin, ana e figurshme, butaforike, spektakolare, teatrale ndikon ne cilesine operacionale te mesazhit politik - e ben ate me te ndikueshem ose me pak te ndikueshem per shikuesin.Mirepo per percjelljen e mesazheve politike, zakonisht partia qe drejton shtetin, zgjedh pikerisht TVSH pasi aty bie me pak ne sy truku dhe koha e zene pasi ka mungese programesh.Kjo ndodh edhe pse TVSH perqendrohet gjithmone ne percjelljen e ceremonive zyrtare dhe veprimtarive te shtetit.

Te gjitha televizionet ne Shqiperi tashme e kane kuptuar rendesine qe ka ne vendimarrjen e teleshikuesit ekrani dhe per kete aryse gjate fushatave elekotrale kemi nje numer te madh reklamash ne to.
Kandidatet e partive me te medha dhe qe jane ne gjendje me te mire ekonomike, paguajne miliona leke per reklama ne televizor dhe pergjithesisht ne bllokun publicitar midis programeve me te ndjekura, me qellim qe te ndikoje tek shikuesi ne perzgjedhjen e tij diten e votimit.

Por nisur nga rendesia e asaj cka u tha me siper, koha televizive eshte bere nje ceshtje teper konfliktuale ne vend.Kjo sepse televizioni perben median me te rendesishme sot per sot dhe eshte mjeti me i mire per te manipuluar mendimin e shikuesit apo per ti dhene atij nje alternative tjeter perpara se te marre nje vendim, pavaresisht se ajo alternative mund te jete ne te mire apo ne dem te tij.

« Previous Page