Socialus


Politika and Socialus14 Mar 2008 02:18 am

Të thëm të drejtën nuk e mbaj mend se sa javë kam që dëgjoj se grupe nxënësish shkëputen nga orari i mësimit për të marrë pjesë nëpër takime elektorale. Në fillim lajmin e mora vesh nga shkolla “Partizani” e më pas listës u shtoheshin emra të ndryshëm të gjimnazeve të Tiranës duke e përfunduar atë me disa emra të shkollave në periferi të cilat as nuk i kisha dëgjuar ndonjëhere. Si për çudi, këtë fushatë, nuk ishte fare e nevojshme që të ndërhynin në shkolla forumet rinore të partive politike. Punën e tyre tashmë e kanë zëvëndësuar drejtuesit e këtyre institucioneve arsimore të emëruar prej më shumë se një viti në krye të tyre.

Më kujtohet sesi në zgjedhjet e vitit 2005, nxënësit e po këtyre shkollave me anë të përfaqësuesve të tyre dhe me ndihmën e Parlamentit Rinor të Tiranës, morën një nismë vërtetë serioze kundër përdorimit të femijëve në fushata elektorale dhe madje organizuan takime me përfaësues të lartë të shtetit shqiptar deri te Presidenti i Republikës.

Po sot pse u përmbys gjithçka? Vallë këta të rinj harruan se po i shfrytëzjnë dhe s’u kanë bërë dhe s’u kanë mbajtur asnjë premtim që lidhet direkt apo indirekt me to? Nuk dua ta besoj faktin se këto të rinj e braktisin bangën, besimin e prindërve, orën e mësimit dhe shkollën vetëm për t’iu shmangur pyetjeve të mësuesve. Nuk dua ta besoj as se ministri i arsimit Genc Pollo është në dijeni të gjithë kësaj katrahure që po dëmton sistemin arsimor. Por ja që duhen besuar të dyja. Ministri ynë jo vetëm që e di fare mirë çfarë mbështetje të fuqishme po u japin nxënësit fushatës së partisë së tij apo aleatëve të tjere por nga ana tjetër është e papranueshme që pikërisht ai të prezantojë projektin “spiun” për raportimin e mungesave të nxënësve tek prindërit me anë të mesazheve telefonike, pikërisht në këtë kohë fushate ku unë, ne, ministri Pollo dhe nxënësit e dijnë më mirë se kushdo tjetër se ç’po ndodh në shkollat e mesme të Tiranës. Ç’do tu shkruani në mesazhe prindërve në fushatën e ardhëshme elektorale të nderuar drejtues të institucioneve arsimore? Do e keni guximin tu shkruani se fëmija juaj mungoi sot pasi mori pjesë krah për krah me kryeplakun e lagjes dhe deputetin e zonës në një takim diku larg derës së shkollës? Apo nuk do ti njoftoni fare duke kultivuar kështu vlerat militantiste tek të rinjtë e duke u dhënë atyre vetëm një përgjigje: “Kur mungon për arsye politike në përputhje me Partinë-Shtet, është mungesë e justifikuar.”

Po shkatërrohen vlerat e rinisë duke ua përdorur ato pak forca që ka, jo në dobi të saj por në dobi të politikës së spanuar që ka 17 vjet dhe gjëja e vetme me të cilën mburret është rrëzimi i komunizmit.

Nuk duhet harruar se duke nisur nga kryeministri e duke përfunduar te deputeti më i thjeshtë i Kuvendit Shqiptar, të gjithë kanë qenë njëherë e një kohë të rinj që i shërbenit sistemit që e rrëzuan po vetë ato. Nuk është për tu çuditur nëse historia përsëritet. Të paktën kështu thonë. Kush e harron të kaluarën është i dënuar ta përsërisë atë në kurriz të vet.

Socialus14 Mar 2008 02:17 am

Shumë shpesh kemi dëgjuar në lidhje me abuzimet tek femijët si dhe me mungesën e një politike konkrete mbrojtëse për to sikurse kemi dëgjuar jo rrallë herë për përpjekjet që qeveria aktuale po bën për të ndihmuar biznesin i madh apo i vogël qoftë ai.

Ky kontrats ngjarjesh sigurisht që në hyrjen e mësipërme të bën të mbetesh gojë hapur për aq kohë sa nuk mund ta gjesh lidhjen mes dy situatave në vendin tonë. Mirëpo pasi lexova shkrimin e STANDARD, nr 166, në lidhje me femijët shqiptarë të braktisur e pa mbrojtje dhe deklaratën e UNICEF për këtë problem, të them të drejtën nuk u cudita dhe pasi s’është hera e parë që shqiptarët degjojnë të tilla probleme dhe për më tepër ne perballemi përditë me fëmijë lypës, fshirës xhamash të makinave në bulevardet kryesore dhe “banorë” të përhershëm të parqeve në kryeqytet.Por ndryshe nga ajo që UNICEF theksonte në deklaratë, se gjakmarrja po cënon arsimimin e fëmijëve, unë mendoj se ka një mori problemesh dhe gjakmarrja nuk është i vetmi faktor negativ.Për aq kohë sa ministri Pollo shprehet se do të ndërtojë 100 shkolla për të pa arsimuarit dhe nuk ka vënë asnjë gur në themel dhe për aq kohë sa ai nuk ka dhënë asnjë afat se kur do të fillojë ndërtimi i shkollës së parë dhe se kur do të vendoset tjegulla e fundit e shkollës së njëqindtë, a mundemi ne t’ja hedhim sërisht fajin gjakmarrjes apo prindërve të papërgjegjshëm?
Koha ka treguar se propaganda dhe demagogjia të sjell dicka: simpatinë e përkohëshëm tek njerëzit.Por ndryshimi i prekshëm të shpie akoma më larg.Të bën të fitosh një besim të gjatë dhe një emër të mirë për komunitetin.Për tu kthyer sërisht në “kontrastin” e mësipërm dhe lidhjen midis kësaj gjëndje shqetësues për fëmijët dhe lehtësimin e bizneseve, ajo që më erdhi ndërmend ishte roli i qeverisë si rregullator midis subjekteve tregtare dhe organizatave të ndryshme në vendet perëndimore. Kështu përshembull, në shkëmbim të uljes së taksës për një subjekt tregëtar nga ana e shtetit, ky i fundit duhet të ketë financuar më parë ose të vazhdojë të financojë një organizatë që lobon për të drejtat e njeriut dhe femijët.Këto politika të ndjekura prej vitesh jo vetëm në perëndim por kudo në vendet me kulturë demokratike dhe shoqëritë e civilizuara, mbi të gjitha kanë sjellë dukshëm uljen e shkallës së analfabetizmit dhe të varfërisë.
Mendoj se ky shembull është jo pak i nevojshëm që të ndiqet edhe tek ne.I tillë mekanizëm do të sillte mbi të gjitha një ndryshim të dukshëm dhe pozitiv të problemit në fjalë dhe gjithashtu do ti ofronte qeverisë një arsyetim më bindës kur vjen puna për deklaratat në lidhje me uljen e tatimeve dhe cmimit të energjisë për bizneset.Për më tepër, do të justifikonte dhe thënien e urtë të popullit se njëra dorë lan tjetrën dhe të dyja lajnë fytyrën.

Socialus14 Mar 2008 02:16 am

Mbi artikullin për Shqipërinë “Toka që koha harroi” nga A. A. Gill (në foto), botuar dje (23 Korrik, 06) në britaniken “The Sunday Times Magazine” (suplementi i së djelës)

Lajmi se na qenkësh botuar një shkrim për Shqipërinë në gazetën angleze “The Sunday Times”, doli nga vetë faqet e saj, çau mes për mes kontinentin dhe arriti në dyert e mediave tona. Pak a shumë e njëjta ironi si te “Legjenda e Misrit” me përjashtim se kësaj rradhe artikullin s’e kish shkruar i Madhi MIGJENI por një gazetar i rëndomtë me një emër të cuditshëm AA Gill i cili e kish njohur vendin tonë nga distanca.

E ndërsa shqiptarët e Shqipërisë dhe Kosovës po mundohen të bëjnë hapa përpara drejt institucioneve europiane, pavarësisë së tyre si komb dhe paprekshmërisë së të drejtave të njeriut, shqetësuese është që të shkruhet një artikull i tillë nga një kryeqytet i madh dhe i respektuar sic është Londra.
Zoti apo zonja Gill thotë se aeroporti jonë kombëtar quhet “Nënë Tereza” pasi është e vetmja shqiptare e famshme dhe kjo e fundit u largua nga vendi pse këtu ka popullsi 70% muslimane.
Por gazetari harron, ose më saktë nuk ka informacionin e nevojshëm, se Skënderbeu, Aleksandër Moisiu, Ismail Kadare dhe shumë të tjerë, kanë qenë dhe janë shqiptarë, njerëz të lindur dhe rritur në atë vend që gazeta “The Sunday Times” e quan të harruar nga koha.

E sikur të mos mjaftonin vetëm këto, artikulli vijonte më pas me disa akuza demagogjike të cilat kapeshin pas emrave të kompanive ajrore.Kaq e nevojshme ishte vallë që emrin Albatros, që është sipas tyre një zog ogurzi, ta identifikonin me simbolin tonë kombëtar.Me siguri se keni harruar faktin që ne kemi shqiponjën dykrenare në flamur.Si duke s’keni cfarë të shkruanit tjetër dhe e zgjasni artikullin në atë farë menyrë sa arrini të thoni se adoleshentët shqiptarë janë ato që vishen më keq në Europë.Pa dashur t’i bëj reklamë ndonjë biznesi rrobash, s’po përmend emra por ju bëj thirrje juve dhe të tjerëve të cilet kanë dyshim të tilla, të dalin një shëtitje në dyqanet tona dhe në bulevarde gjithashtu.

Të rinjtë tanë janë ato të rinj të cilët kanë dalë me rezultate të shkëlqyera në vendin tuaj.
Janë ato të rinj që ndjekin universitetin e Oxfordit disa kilometra larg redaksisë tuaj dhe që ngrejnë flamurin e shkollës vit për vit si shenjë nderi që u japin në rradhë të parë rezultatet e tyre në mësime e më pas shoqëria dhe komunitetin ku jetojnë dhe edukohen çdo ditë.
Te gjithe e dinim se gazetaret edhe i ekzagjerojne gjerat deri diku, por jo deri aty sa te flasin per nje komb mijeravjecare sikur po flasin per nje lagje te Kandaharit.

S’është faji jonë pse kemi një arkitekturë të kryeqytetit të trashëguar.Ç’rendesi ka se është arkitekturë fashiste apo komuniste, siç e quani ju.Ne s’dijmë ndonjë rast ku Shqipëria e vogël në drejtimin e fashistëve italiane apo komunistëve shqiptarë të këtë kryer ndonjë agresion ndaj një shteti tjetër?
S’e kemi pushtuar ne Indinë dhe as filmi “Sandokan” s’është prodhim i Kinostudios “Shqipëria e Re” por është dhimbje i atij populli që ju e keni bërë të vuaj gjatë, sikurse ne Perandoria Osmane.
Po mundoheni ta identifikoni Shqipërinë si një komb që këtë zhvillim e ka si pasojë të kulturës së saj.
Ne e kemi prejardhjen nga pellazgët e ilirët, njerëz të cilët që në kohët e lashta ndryshe nga popujt e tjerë, hanin ulur sic hame ne sot ne Shek XXI dhe jo shtrirë.

Besoj se e kuptoni trashëgimin kulturore dhe historike që kemi ne sot.Jetojmë me shpresë por jo me ndjenjën e keqdashjes ndaj të tjerëve.Kjo na ka bërë tu rezistojmë shekujve dhe Konferencës së Ambasadorëve në Londër qe ishte pjelle e politikes tuaj me 1913.
Në qoftë se se dini as këtë, më mirë heshtni!

PS: Artikullin e “The Sunday Times” mund ta gjeni ketu: http://www.timesonline.co.uk/article/0,,2099-2271185,00.html