Perpjekja


Perpjekja14 Mar 2008 02:28 am

Nëse do të komentojmë ditën e shpalljes nga Parlamenti i Kosovës të pavarësisë si dhe përjetimin e kësaj dite përtej gëzimit dhe euforisë festive të shqiptarëve dhe dëshpërimit të dukshëm të serbëve do të duhet të komentojmë thënien e një analisti perëndimor, i cili u shpreh se në këtë ditë u mbyll një kapitull, por nuk u mbyll i gjithë libri. Si do ta përkthenim me gjuhën e realitetit këtë metaforë?
U mbyll vërtet një kapitull i rëndësishëm, ai i varësisë së shqiptarëve nga serbët. Kapitujt që na kanë sjellë deri këtu, nëse do t’i referohemi historisë dhe jo mitologjive nacionaliste, flasin për një armiqësi që ka lindur në shekullin e XIX me lindjen e lëvizjeve nacionaliste në Ballkan, veçanërisht pas luftës ruso-turke (1878), kur serbët patën shtetin e tyre të pavarur dhe që u thellua, pastaj, me Luftrat Balkanike (1912) kur serbët përfshinë edhe Kosovën në shtetin e tyre. Është një histori më se një shekullore që deri më 1999 mund të thuhet se është shënuar nga përpjekjet e vazhdueshme të serbëve për dominimin, madje edhe pastrimin etnik të Kosovës dhe nga përpjekjet e shqiptarëve për t’u çliruar nga ky dominim e pastrim e për t’u bërë të pavarur nga serbët.
Faqet e fundit të këtij kapitulli, dmth. vitet e fundit, ishin një periudhë tranzicioni për të bërë këtë shkëputje. 17 shkurti megjithë problematikën që ka dhe pasiguritë që mbart, shënon fundin me sukses të përpjekjeve të shqiptarëve për t’u çliruar nga dominimi serb, fund që pa dyshim u ndihmua shumë edhe nga dështimi dhe pastaj disintegrimi i Jugosllavisë në vitet 90, për të cilin një kontribut të madh dhanë krimet e nacionalizmit serb në vitet 90.
Çështja më e rëndësishme sot është se cilët do të jenë kapitujt pasardhës.
Nga sa duket qartazi autorët që do të shkruajnë kapitujt e ardhshëm të Kosovës do të jenë kryesisht shqiptarët dhe Bashkimi Evropian. Ajo çka do të shkruhet do të jetë rezultat i bashkëveprimit të këtyre dy faktorëve i cili mund të thuhet se ka filluar në thelb që në vitin 1999. Janë pikërisht këta nëntë vjet që mund të na japin disa tregues se si do të shkojë ky bashkëveprim në të ardhmen dhe cili do të jetë rezultati. Ajo çka del nga përvoja e deritanishme është se ky bashkëpunim, që, në fakt, ka qenë e do të jetë më shumë një dominim dhe imponim i projekteve perëndimore për kosovarët, duket se do të jetë i gjatë pasi edhe vetë njohja e Kosovës nga të gjitha shtetet si dhe futja e saj në Kombet e Bashuara me të drejta të plota do të kërkojë kohë.
E në këtë bashkëpunim nuk mund të mos vemë në dukje edhe tensionet e brendshme që kanë ekzistuar e do të ekzistojnë midis tendencës së shumicës së shqiptarëve për të realizuar projektet e tyre nacionaliste dhe imponimit nga perëndimorët të projektit të tyre të ndërtimit të një shteti multietnik e multikulturor. Shqiparët e Kosovës sot vërtet mund të konsiderohen të lirë e të pavarur nga serbët, por nuk mund të thuhet kurrsesi se arritën në brigjet e lirisë pas 600 vjetësh lundrim në skllavëri – siç tha kryeministri ynë Berisha me një deklaratë plot patos romantik. Kjo jo vetëm pse liria e njeriut nuk lidhet thjeshtë dhe vetëm me çlirimin kombëtar, por edhe pse qoftë edhe në këtë aspekt, nëse do të gjykojmë nga festimi i djeshëm, shqiptarët e Kosovës, nëse do të ishin vërtet të lirë, nuk do të pranonin flamurin me gjashtë yje, por, sëbashku me shpalljen e pavarësisë, do të shpalosnin në Parlament flamurin kuq e zi. Dukej sheshit se qoftë flamuri që u shpalos, qoftë gjuha që përmbanin deklaratat e kryeministrit Thaçi dhe presidentit Sejdiu qenë në kontrast me gjuhën e festës së shqiptarëve jashtë Parlamentit. E kontradikta që buron nga ky kontrast besoj se do të shenojë kapitujt e ardhshëm të historisë së Kosovës dhe jo vetëm.
Pra mund të themi se nëse kapitulli që sapo u mbyll pati në faqen e tij të fundit flamurin shqiptar që u tund gëzueshëm në duart e shqiptarëve më 17 shkurt, kapitulli që vjen u hap me flamurin që u shpalos me duartrokitje të imponuara në Parlament që paraqet hartën me të verdhë të Kosovës në një fushë blu ku spikasin gjashtë yje që simbolizojnë gjashtë etni që banojnë në Kosovë e që ilustrojnë deklaratat e Thaçit e Sejdiut se Kosova është një shtet multietnik. Është mëse e qartë sot për sot se ky flamur është një flamur i imponuar që as shqiptarët dhe as serbët nuk e njohin si të tyrin. Është po ashtu e qartë se BE po tenton të ndërtojë një shtet ideal multietnik në një territor ku realisht mbizotëron kultura nacionaliste dhe shumë urrejtje e frustrime etnike. Mjafton të shikosh se sa identifikohen bosnjakët muslimanë, kroatët, serbët e Bosnje Hercegovinës me flamurin e imponuar nga Perëndimi për të kuptuar se sa e vështirë do të jetë kjo edhe në Kosëvë. Është po ashtu e qartë se vetë Evropa ka brenda saj sfida të forta me tendencat nacionaliste e separatiste që e godasin brenda saj projektin ideal që ajo ka për veten dhe Ballkanin. Madje mu sepse rasti kosovar mund të kthehet në një bumerang për vetë projektin evropian, pasi mund t’i hapë rrugën një reaksioni zinxhir lëvizjesh nacionaliste e separatiste, ai është kundërshtuar jo pak në Evropë ose është trajtuar si një rast i veçantë.
Prandaj çështja e shkrimit të kapitullit të ardhëshme të librit që sapo u hap lidhet pikërisht me fatin e këtij flamuri. A do të arrijë ky flamur të bëhet flamuri i të gjithë nënshtetasve kosovarë, shqiptarë serb e me rradhë, me të cilin ata do të identifikohen sinqerisht duke futur në Ballkan frymën post nacionaliste evropiane apo historia do të marrë rrjedhë tjetër?

Perpjekja14 Mar 2008 02:25 am

A ia vlen apo nuk ia vlen të ulesh të komentosh ndarjen e fundit Rama - Meta? Kjo është pyetje që besoj se ia shtron vetes kushdo që ndjek zhvillimet politike në Shqipëri me syrin e gazetarit, dmth të atij që e ka si detyrë të seleksionojë ngjarjet më të rëndësishme, t’i komentojë në mënyrë që t’i komunikojë publikut mendimin e tij, të transmetojë në shtyp zërin e publikut për këto ngjarje, por edhe të ruhet nga përsëritja e të kërkojë të renë. (Nuk flas këtu për ata gazetarë që komentimin e ngjarjeve e kanë detyrë partie e që, për fat të keq, janë të shumtit.) Duke qenë se është një ngjarje që ka mbushur faqet e gazetave dhe lajmet e para të mediave televizive ajo vlen të komentohet. Ky është gjykimi i parë që të vjen. Por, kur pyetja shtrohet se si duhet komentuar e se çfarë është e reja, përgjigjet të ngatërrohen aq shumë, sa të vjen të shtrosh pyetjen që ngrita në krye të shkrimit: a ia vlen apo jo.

Le të shpjegohem. Për të bërë komentin duhet parë një çikë se çfarë kanë deklaruar protagonistët kryesorë dhe se si po lëvizin grupimet e ndryshme politike ndaj kësaj ngjarjeje. Shkurt, të informohesh e ta ballafaqosh, pastaj, këtë informim me përvojën e së kaluarës. Personalisht, duke kërkuar të informohem dhe të krijoj një ide, iu drejtova shtypit dhe mediave elektronike e fjala e parë që më doli nga goja instiktivisht duke lexuar deklaratat e kundërdeklaratat, aprovimet e kundëraprovimet, ishte togfjalëshi “çorbë derri”.

Me “çorbë derri” kuptohet një mishmash gjërash ku nuk mund të dallosh ato kryesoret e të rëndësishme nga sekondaret e të parëndësishmet, as drejtime dhe as kuptime. Por, në të vërtetë, ky është një vështrim i atyre që qëndrojnë jashtë kësaj “çorbe” dhe që refuzojnë ta hanë atë. Me fjalë të tjera gjykimi i atyre që kërkojnë të shohin lëvizjet politike në Shqipëri në korrelacion me problemet që ka vendi në tërësi. Kurse po të futesh brenda çorbës me synimin që ta hashë, pa dyshim se do të gjesh atje rrymat e ndryshme që lëvizin, motivet e kësaj çarjeje, qëllimet e protagonistëve, ekuilibrin apo disekuilibrin e forcave, kush mund të fitojë e kush mund të humbasë nga kjo lojë, e me rradhë.
Personalisht, pra, kur thashë “çorbë derri” kjo më erdhi si rezultat i pozicionit të atij që qëndron jashtë çorbës dhe që nuk i intereson shumë se cili do të bëhet kryeministër nesër Ilir Meta, Edi Rama apo do të qëndrojë Sali Berisha, por të shohë hapa drejt ndryshimit të sistemi ekonomik e politik mafioz të ngritur në këto 17 vjet.
Pse nga ky këndvështrim çarja e fundit Rama - Meta më duket thjeshtë dhe vetëm si një çorbë derri? Po të ndjekim retorikën që e shoqëron këtë çarje “të madhe” duket sikur kjo ngrihet mbi mospajtime lidhur me sistemin elektoral, mbi përfaqësimin më të mirë, mbi eliminimin e fenomeneve që i kemi quajtur “dushku” apo “megadushku”. “Proporcional”, “rajonal”, “lista të hapura”, “lista të mbyllura” janë disa terma që po mbushin tani faqet e gazetave tona e të mediave elektronike. Dmth., sikur të jemi në një demokraci dhe po kërkojmë mënyrat që ajo të funksionojë sa më mirë. Por, në të vërtetë, nuk është kështu. Sistemi politik që ne kemi deri më sot është një sistem që, nëse do t’i referohemi modeleve të njohura në botë që nga lashtësia greke mund të quhej “oligarki” apo “plutokraci” apo edhe “aristokraci”, por jo demokraci. Oligarkia është pushtet i të pakëve, plutokracia është pushteti i të pasurve, kurse aristokracia është pushteti i të zgjedhurve që e kanë atë me trashëgim. Të treja kanë një gjë të përbashkët: se janë pushtet i një pakice të pasur. Dhe ky është karakteri kryesor i sistemit që kemi ndërtuar ne sot duke shtuar edhe “kleptokracinë” apo “mafiokracinë”. Pra mungesa e përfaqësimit të pjesës më të madhe të popullsisë paçka se këta tani kanë të drejtën e votës një herë në dy vjet.
Né fakt të gjithë e dinë se debati Rama - Meta - Gjinushi - Ceka - Milo është një debat që lidhet me atë se si do të ndahet pushteti midis këtyre personave dhe klaneve rreth tyre që janë pjesë e oligarkoplutoaristokleptokracisë shqiptare në mënyrë që të mundin pjesën tjetër të kleptoaristoplutooligarkokracisë që përfaqëson Berisha dhe të tijtë. Thënë ndryshe, jemi në luftën brenda njërës pjesë të patricëve dhe absurdi qëndron se ata bëjnë sikur po flasin për interesin e plebejve. Eshte bash kontrandikta midis gjuhës demokratike që flitet dhe realitetit të sistemit që kemi ngritur e që ajo kërkon të shprehë e formësojë burimi i çorbës së derrit.
Sipas meje, çarja Meta - Rama do të kishte vlerë tjetër sikur ndarja të bëhej në emër të ndonjë lëvizje të majtë që do të kërkonte të kapërcente kështjellën e këtij sistemi dhe të lidhej me popullin që jeton jashtë mureve të kështjellës, me elektoratin e papërfaqësuar, me plebejtë që presin të dalë partia e tyre. Pasi problemi kryesor që kemi me të majtën është mungesa e përfaqësimit të asaj pjese të popullsisë që normalisht deri më sot përfaqëson e majta në demokracisë e konsoliduara (megjithë problemet që shfaqen sot edhe në Perëndim në këtë aspekt ).
Në fakt edhe Ilir Meta edhe Edi Rama e njohin problemin e mospërfaqësimit. Edi Rama del e flet në popull çdo ditë se, më në fund, ka ardhur politikani që do t’i përfaqësojë ndryshe nga ç’kanë bërë paraardhësit e tij. Po ashtu kur Ilir Meta e ka akuzuar PS si parti e monopoleve këtë ka dashur t’u transmetojë shqiptarëve: se ai u nda nga PS për të ndërtuar një të majtë të vërtetë. Por, nga ana tjetër, të dy palët nuk e inspirojnë dot besimin që kërkojnë të inspirojnë tek plebejtë. Kjo jo vetëm pse gjithkush në këtë vendin tonë të vogël i njeh dhe e di se ata dhe bashkëpunëtorët e trye më të afërt janë pjesë e funksion i kleptooligarkoplutoaristokracisë së ndërtuar gjatë këtyre viteve, por edhe duke parë se si janë sjellë dhe se si po sillen me njëri tjetrin. Madje edhe në këtë çarjen e rradhës. Ilir Meta, po të përjashtojmë vetëm periudhën e parë të ndarjes me Nanon, në vend se të kërkonte elektoratin e ri të së majtës duke denoncuar pseudo të majtën e PS nuk ka bërë gjë tjetër veçse është marrë me kalkulime pragmatiste që i fashitën shumë shpejt vlerat morale e politike që reklamoi kur bëri ndarjen. Rama nga ana e tij, që flet sot a thua se ka ardhur dje nga Parisi në krye të politikës dhe jo çprej dhjetë vjetësh, në kohën më të madhe nuk ka bërë gjë tjetër veçse ka denoncuar Berishën e Nanon si shkaktarë të humbjes së PS duke bërë, për të riparuar këtë, aleanca me Metën. Sot të dy befas dalin kundërshtarë dhe janë të gatshëm të bashkëpunojnë edhe me kundërshtarët e tyre të djeshëm për të munduar palën tjetër. Madje tani kanë ndërruare rolet. Éshtë Meta ai që e akuzon tani Ramën se po bashkëpunon me Berishën. Ndërkohë njerëzit e Nanon sot po shohin të bashkohen me Metën kundër Ramës. Rama lëshon mesazhin se është i gatshëm të bashkëpunojë me Metën. Meta ve si kusht trandarencën e PS, po për transparencën e kujt e ka fjalën vallë? Çorbë derri.
Në fakt kemi të bëjmë me një çorbe të ftohur që po ringrohet edhe një herë në kuzhinat e politikë sonë për të na u servirur ta hamë përsëri të nxehtë. Së bashku me detyrim/kërcënimin: O mangi questa minestra o salti dalla finestra? (O haje këtë çorbë o hidhu nga penxherja.)

Perpjekja14 Mar 2008 02:24 am

Është e qartë se qeveria po tregohet selektive në goditjen me gjobë kundër bizneseve të pronarit të televizionit Top Channel. Por po ashtu është po kaq e qartë se edhe ky televizion, ashtu sikurse edhe gazeta Shqip, janë selektivë në goditjet ndaj qeverisë. Ndeshja po paraqitet si një konflikt midis biznesit e fjalës së lirë më një anë dhe prirjes së shtetit për t’i kontroluar ato më anë tjetër. Por nuk është thjeshtë kështu.

Kjo është të përdorësh skema të një konteksti në një kontekst mjaft tjetër. Për më tepër fatkeqësia jonë është se ne mbesim deri tek konflikti selektiv i interesave midis palëve dhe nuk duam të shohim më përtej: atë çka zbulon dialektika e kësaj ndeshjeje. Sipas meje në thelbin e këtij konflikti, përtej selektivitetit të Berishës apo vetëmbrojtjes së tipit “dy duar për një kokë” të pronarit, kombinuar me etjen për rikthim në pushtet të opozitës, duhet të shohim e shtrojmë për zgjidhje një problem që ngërthen nevojën e ndryshimit të vizionit të zhvillimit të vendit. E kam fjalën për çështjen e modelit të kapitalizmit anarkist që kemi ngritur në Shqipëri dhe të ardhmen e tij.

Le të hyjmë në temë.

Në sajë të një kombinimi të injorancës me kulturën tonë të  manipulimit - të dyja nuk janë pa lidhje sepse një investim serioz në dije e refuzon përdorimin e dijes për qëllime manipulimi, - në mjediset pseudointelektuale shqiptare gjen shumë teori për të justifikuar e përligjur gjoja teorikisht (apo duke iu referuar historisë) realitetet tona të mbrapshta. Mu pse janë manipulative ato teori shpesh bijen ndesh me teori të tjera të predikutar nga të njëjtët individë. Si shembull do të sillja idenë e shumëpërhapur se “kështu si ne, (dmth me informalitet e kriminalitet) është bërë edhe Amerika”, e cila aq shpesh kombinohet, pastaj, me predikimin e “tolerancës zero”, që është krejt e kundërta e së parës.
Teza se kështu është bërë edhe Amerika është krejtësisht manipulative dhe atyre që vërtet e besojnë kur e predikojnë nëpër tryeza u rekomandoj të lexojnë librin “ Etika protestante dhe shpirti i kapitalizmit” të Max Weberit në qendër të të cilit qëndron teza se “kapitalizmi racional”, siç e quan ai atë anglo – sakson, është ngritur mbi themelet e moralit të rreptë kalvinist që predikon se puna e ndershme dhe e sukseshme është shenja e hirit të Perëndisë.
Por le ta lemë kapitalizmin racional anglo – sakson dhe le të kthehemi tak kapitalizmi anarkist i yni, me çka kuptoj një ekonomi që zhvillohet në mënyrë thuajse krejtësisht të pa kontrolluar nga shteti. Kjo që po ndodh tek ne ka disa aspekte me të cilat janë marrë teoricienët e ekonomisë. Emri më i njohur madje i prurë edhe në Shqipëri për të na dhënë zgjidhje është De Soto. Ai është një ekonomist peruvian teoricien i një lloj anarko kapitalizmi sipas të cilit “laisser faire” (në shqip do ta përktheja “bëj ç’të duash”) duhet lejuar deri në kufijtë e informalitetit sepse kjo nënkupton edhe zhvillim energjish. Sipas tij informaliteti mund të formalizohet nesër duke i kthyer në pronarë të ligjshëm ata që deri dje kanë qenë informalë e, duke u bërë të tillë, ata do të paguajnë taksat e pronës. Kemi të bëjmë me një teori ultraliberiste dmth. ultra të djathtë, nga këndvështrimi i teorive të ekonomisë, ku shteti humbet në disa zona edhe rolin e arbitrit dhe kontrollorit të respektimit të ligjit e të kompeticionit të drejtë.
Me një fjalë Bathorja, pushtimi i bregdedit, pushtimi i frekuencave nga Top Channel, ndërtimet pa leje, mungesa e planeve urbanistike, e vijave të verdha, shfrytëzimi pa kontroll i pyjeve dhe lumenjve etj. janë të gjitha shprehje e një kapitalizmi anarkist i cili, sipas De Sotos, pastaj do të formalizohet duke u kthyer në burim zhvillimi të mëtejshëm.
Gjer këtu, nga halli, duket shumë bukur. Por çështja shtrohet së pari, se mos kemi shkuar shumë larg në ndërtimin e kapitalizmit tonë anarkist dhe a mund të kthehemi dot prapa dhe, së dyti, si do të kthehemi prapa?
Nuk jam njohës i realitetit peruan, por nga sa di dhe nga sa e kam kuptuar teorinë e De Sotos ajo e sheh informalitetin si diçka që bashkëjeton me ekonominë formale dhe që thithet prej saj. Po ashtu De Soto nënkupton një politikë që gjithsesi qëndron jashtë këtij informaliteti, që tenton ta formalizojë atë dhe jo një politikë që është bash mamija e tij, gjeneruesja dhe përshpejtuesja e tij. Si të thuash ai presupozon një Tiranë formale të cilës nesër i bashkangjitet një Bathotre informale dhe jo një Tiranë informale në krye të një Bathoreje informale. Por gjithsesi Shqipëria është vendi ideal për të provuar, me ekstrapolim, se teza e De Sotos për lënien të lirë të informalitetit mund të rezultojnë katastrofike.
Nuk është e vështirë të argumentosh se kapitalizmi anarkist i yni i aplikuar në kushtet e një vendi që deri dje ishte me ekonomi krejtësisht të kolektivizuar ka prodhuar një kaos që më shumë sesa zhvillim po prodhon shkatërrim dhe prishje të cilësisë së jetës. (Përndryshe duhet të ndryshojmë kuptimin e zhvillimit nga diçka pozitive në diçka negative siç edhe bëhet sot nga mjaft teoricienë.) Në mënyrën më dramatike ky lloj kapitalizmi demaskohet me situatën absurde kur ndërkohë që në vend është investuar aq shumë në raport me numrin e popullsisë - mjafton të kesh parasysh numrin e pafundëm të ndërtimeve private që janë kryer veçanërisht në zonën bregdetare - ai është në një krizë të thellë elektrike, të furnizmit me ujë të pijshëm, të infrastrukturës, të ndotjes që besoj se nuk e njohin as vendet më të varfëra në botë. Nuk është vështirë të argumentosh gjithashtu se në kapitalizmin anarkist alla shqiptar (por besoj se edhe në atë de sotian) nuk mund të ndahet lehtë kufiri midis ekonomisë informale dhe ekonomisë kriminale; midis ekonomisë ku kemi evazione fiskal dhe ekonomisë që funksionon si pastrim i parave të pista të drogës e të tarfiqeve me gjithë pasojat sociale e kulturore që sjell kjo.
Por problemi kryesor që ngre kapitalizmi anarkist është se ai prodhon të fuqishmit e vet që kushtëzojnë politikën dhe mënyrën e bërjes së saj, por edhe sistemin e vlerave mbizotëruese, duke bërë që të vështirësohet në mos bëhet i pamundur kthimi prapa. Për ta ilustruar le të sjellim ndërmend se çfarë bëmë ne me kioskat që fare mirë, me pushtimet që i bënë ata më ligjshkellësit parqeve e gjithshkaje publike, mund të cilësohen si fillimi i informalitetit. Le të kujtojmë se sa para shkoi dëm për t’i ngritur ato dhe për t’i pastruar ato pastaj. Gjithkush sot thotë se do të kishte qenë më mirë të mos i kishim lejuar që në fillim (e në fakt përveçse në Shqipërinë e kapitalizmit anarkist kërkund tjetër në Lindjen ish-komuniste ato nuk mbinë). Mirëpo në vend se të mësonim prej asaj përvoje e t’i ktheheshim formalitetit ne vepruam në vazhdim me të njëjtin stil siç ndërtuam kioskat: duke ngritur pallate shumica e të cilëve sot duhen shembur për të kthyer në normalitet dhe formalitet vendin. Jo rastësisht madje është bash një pjesë e mirë e ish ligjshkelësve kioskaxhinj që bëjnë sot ligjshkelje në shkallë shumë herë më të lartë abuzimi e shkatërrimi. Dua të them, pra, se ekonomia informale ka krijuar politikën dhe pushtetin e vet me të cilin zhvillon vetveten madje duke rritur edhe shkallën e informalitetit. Kjo edhe sepse nën presinin e kapitalizmit anarkist politika humbet edhe detyrën e krijimit të vizioneve e projekteve për të ardhmen. Në kapitalizmin anarkist edhe politika si çdo gjë i nënshtrohet lojës spontane të forcave të më të fortëve dhe shteti, sipas rrethanave, trajtohet nga aktorët e bizneseve informale herë si partner e herë si në konflikt me ta, por kurrë si arbitër dhe mbrojtës i interesave të tërë shoqërisë.
Një nga ilustrimet e shumta dhe do të thoja më dramatiket, pasi ka të bëjë me kokën e vendit, është ajo çka ka prodhuar në Shqipëri anarkizmi kapitalist në fushën e mdiave. Kur Shqipëria sapo u hap ndaj lirisë Dritëro Agolli tha një fjalë që asokohe u debatua dhe sulmua shumë “media është armë dhe arma nuk jepet pa leje”. U gjykua rëndë asokohe si një komunist që ishte mësuar të kontrollonte mediat dhe ata që e sulmuan kishin të drejtë nga një pikëpamje sepse Shqipëra ishte asokohe e etur për liri mediash të pakontrolluara dhe të papërdorura nga shteti. Mirëpo as ne dhe as komunisti Agolli (ndoshta) nuk e dinim asokohe se  thënia e tij përputhej në përmbajtje me diçka që e ka thënë edhe një nga filozofët më në zë në ato vitet e para të rënies së komunizmit, kampioni i lirisë së individit, filozofi i shoqërisë së hapur edhe ai me ermin Karl, por me mbiemirin Poper. “Nuk ka demokraci nëse nuk ka kontroll mbi televizionin.” thotë edhe Karl Poperi.
Sot kërkush nuk mund ta mohojë se 80 stacionet televizive private që ka Shqipëria janë një monstër e pakontrollueshme, produkt i kapitalizmit anarkist, që nuk i mbron liritë tona, por i kërcënon e deformon ato duke filluar që nga liritë e atyre që punojnë aty, gazetarëve. Ata kanë bërë robër edhe vetë politikanët. Me fuqinë e tyre ato sot kontrollojnë edhe prokurorinë edhe gjyqsorin. Fakti që Top Channel nuk i hap as derën tatimorëve, por kur ata i venë gjobë e hedh në gjyq dhe nxit prokurorinë të hapë çështje, tregon fuqinë e tij të pakontrolluar. Teorikisht televizione të tilla janë mbrojtës të kapitalizmit anarkist që kërkon lulëzimin e tij jashtë kontrollit të shtetit. Në këtë lloj kapitalizmi organeve të tilla si prokuroria u mbetet të merren vetëm me krime të tilla si vrasja, vjedhja e xhapave kurse shtetit i duhet të modifikojë Kodin Penal për krime të tilla si evazioni apo korrupsioni në mënyrë që të paktën të gjithë qytetarët të ndjehen të padënueshëm kur merren me to. Mirëpo një situatë e tillë nuk do mend se nuk mund të funksionojë në kapitalizëm sepse do të na çonte në gjendjen e parashtetit që është Kanuni, madje edhe para Kanunit, tek xhungla. Anarkizmi si mungesë e shtetit është një ëndërr e bukur, por ai mund të jetë vetëm utopi e socializmit libertar të Chomskyt që synon menaxhimin e pronës nga komunitetet dhe jo e kapitalizmit që mbështetet mbi lulëzimin e pronës private.
Që ky kapitalizëm anarkist dhe kjo media produkt e njëherësh instrument i tij duhen vënë nën kontrollin e interesit të të gjithëve këtë e di tashmë gjithkush. E dinë edhe vetë mediat e pronarët e tyre të cilët, edhe ata, janë bërë robër të pjellës që kanë ngritur e që, nevoja për ta ushqyer, i shtyn nga mëkati në mëkat. Sot kemi nevojën urgjente të ndahemi nga kapitalizmi anarkist që po na merr frymën e të futemi në rrugën e kapitalizmit racional që karakterizohet pikërisht nga transparenca e bizneseve. Televizionet tona ashtu si bar restorantet e pafundme, ashtu si karburantet që i kemi në çdo dy metra ashtu si ndërtimet në brigjet e Durrësit, Sarandës në qendër të Tiranës e gjetkë, janë zhvillime tumorale që pengojnë demokracinë dhe tregun e lirë dhe ekonominë e shëndoshë gjithashtu. Të mos harrojmë se kur Freedmani, kampioni i liberalizmit, ngrinte çështjen e tregut të lirë nuk e kishte hallin më të madh se kjo do të zhvillonte më shumë ekonominë, por mbi të gjitha sepse një ekonomi e kontrolluar nga shteti vinte në kërcënim liritë e individit. Por garancia e lirisë së individit dhe e iniciativës së tij është mbrojtja e lirisë së konkurencës nga shteti.  Kurse në kapitalizmin anarkist shtetit i hiqet edhe ky rol kaq i domosdoshëm për lirinë. Në fakt këto televizione janë ngritur pikërisht për të kontrolluar tregun e lirë dhe për të mbrojtur përfitimin e një grupi njerëzish në dëm të grupeve të tjera. Ata janë kërcënues të lirisë pikërisht, ose më saktë, edhe për faktin se ata nuk garantojnë as fjalën e lirë dhe as tregun e lirë.
Ja pse mendoj se thellë thellë konflikti midis Top Channel dhe qeverisë përmban këtë problematikë shumë serioze. Por, ashtu sikurse e thashë edhe në fillim, ne i shmangemi kësaj dhe merremi me dukjen e jashtme të konfliktit, me interesat imediate të palëve dhe jo me interesat afatgjata të të gjithëve. Kjo sepse të dy palëve nuk u leverdis të shohin më thellë. E këtu duhet vënë në dukje përgjegjësia e mazhorancës qeverisëse. Çështja është se në vend që të shohim projekte të qarta nga ana e qeverisë për kontrollin e informalitetit shohim tentativa spontane, në më të shpeshtën selektive, si kjo e gjobës ndaj bizneseve të pronarit të Top Channel, që denoncojnë qartazi mosekzistencën e një projekti dhe që tregojnë se më shumë sesa me kontroll të shtetit mbi bizneset informale kemi të bëjmë me kontroll të pushtetit të një pale mbi pushtetet e pakontrolluara prej saj. E kjo në terma afatgjata i shërben bash kapitalizmit anarkist sepse le përshtypjen se segmente të tjera të tij po tentojnë të përdorin shtetin për të triumfuar mbi rivalët pa u respektuar ligji e barazia para tij.
Akoma më e vështërë bëhet puna për hartimin e një projekti kundër kapitalizmit anarkist kur, ndërsa qeveria të paktën flet në mënyrë demagogjike për nevojën e formalizimit, ne kemi një opozitë që ndonëse e quan veten të majtë bëhet apologjete e kapitalizmit informal ultra të djathtë de sotian. Është e vërtetë se sulmi i qeverisë  është selektiv, dhe politik, por nga opozita nuk pritet që ajo të mbyllë sytë përpara problemit madhor që qëndron prapa këtij konflikti, duke e parë kërcënimin e fjalës së lirë vetëm nga qeveria. Ajo është përgjegjësja kryesore e ndërtimit të kapitalizmit anarkist në tetë vjetët që ishte në pushet dhe, nëse sot flet për ndryshim sistemi, ajo duhet të paraqesë alternativën e saj të majtë për futjen e vendit në hullitë e kapitalizmit racional që mbizotëron në Evropën ku synojmë të integrohemi dhe dhe jo të bëhet aleate e verbër e pushteteve të informalitetit.
Nëse politika nuk do ta ndihmojë këtë proces mendoj se gjithsesi, ashtu sikurse e kam shtjelluar në shkrimin “Gjermani dhe Gjermeni” ne, në sajë të konkurrencës globale, do të jemi të shtrënguar të futemi një ditë në hullinë e kapitalizmit racional, por rruga do të jetë më e gjatë dhe kostoja që do të paguajmë si shqiptarë shumë më e madhe.

Perpjekja14 Mar 2008 02:24 am

Çështja e presidentit po rezulton një rast mjaft i mirë  për të testuar sa klasën tonë politike përsa i përket pjekurisë së saj aq edhe se çfarë ka gatuar kjo klasë politike për 15 vjet në krye të punëve tona publike. Ka shumë aspekte që mund të zgjedhësh tek ky test dëshpërues i rradhës. Besoj se njëri prej më domethënësve është edhe ai që na ofron dy variante ekstreme për figurën e  presidentit: një president i panjohur i zgjedhur në mënyrë të atillë që të mos ketë thënë asnjë fjalë publike as edhe një prononcim publik që të tregojë pozicionin e tij dhe një president i zgjedhur nga populli që do të nënkuptonte një figurë shumë të njohur sepse askush nuk do të çonte në popull për të votuar një të panjohur.

Lëkundja midis këtyre dy ekstremeve në fakt provon se në të dy variantet kemi të bëjmë në rastin më të mirë me papjekuri të madhe politike kurse në më të keqin me qëllimshmëri të mbrapshtë për moszgjedhjen e figurës së kryetarit të shtetit si simbol i unitetit dhe si institucion që qëndron mbi partitë. Sepse, sipas mendimit tim, një ndryshim kushtetues që do të vendoste zgjedhjen e presidentit nga populli do të na e komplikonte jetën politike, njëlloj, në mos më keq, sikurse do të vazhdonte të na e komplikonte një president i panjohur i zgjedhur sipas marrëveshjes së kryetarëve të forcave opozitare. Kemi të bëjmë me dy ekstreme që puqen.
Le të arsyetojmë pak se ku do të dalim po t’i shkojmë me seriozitet idesë së zgjedhjes së presidentit nga populli. Sipas të gjitha gjasave ideja e zgjedhjes së një presidenti nga populli duket se ka lindur në kampin demokrat për shkak se figura që ata mendonin të propozonin si president, Bamir Topi, gëzon një simpati më të gjerë sesa të gjitha figurat e tjera. Mirëpo në rastin e një presidenti nga populli ne do të duhet të kemi parasysh se dy partitë e mëdha do të futen në garë me dy kandidatë të tyre për president. Kuptohet se do të shkojmë drejt një sistemi presidencial. Diçka si në sistemin amerikan apo francez sepse një president i zgjedhur nga populli gëzon, pa tjetër, një legjitimitet shumë të madh dhe forcë më të madhe prandaj dhe duhet të ketë edhe më shumë kompetenca. Nuk mund të mendohet se Sali Berisha do të jetë po ai me pushtetin e tij pas zgjedhjes së partisë së tij të një tjetër emri si psh. Bamir Topi ashtu sikurse nuk mund të pengosh kryetarin e PS Edi Rama të jetë ai kandidati për president i opozitës. Pra një president nga populli nënkupton kompeticion midis figurash që do të duhet të ishin apo do të bëheshin figurat kryesore në dy forcat politike kryesore. Në këtë rast kthehemi atje ku kemi qenë kur Berisha ishte president në vitet 1992 – 1997 ndonëse i pazgjedhur direkt nga populli. Pra, jo tek zgjedhja e një presidenti që siguron paqtim dhe institucion të pavarur nga partitë, jo tek zgjedhja e një garanti kushtetues, por tek zgjedhja e një figure të rëndësishme ekzekutive që realizon reformat e propozuara gjatë fushatës elektorale. Pra ajo që sipas mendimit tim me të drejtë është vendosur në Kushtetutë duke patur parasysh konfliktualitetin e fortë midis dy krahëve, zgjedhja e një presidenti që të kërkojë 3/5, nuk do të realizohej kurrsesi në këtë mënyrë.
Vetëm në një rast do të mund të dilte nga populli një president që të mos ishte i partive: sikur përzgjedhja e tij të kryhej jo nga partitë, por nga tjetër gjë dhe në emër të gjetjes së një figure sa më të paanëshme ndaj dy forcave. Po çfarë mund të ishte kjo tjetër gjë dhe kush do t’i ndalonte edhe partitë të konkuronin me këtë tjetër gjë? Është e qartë se një gjë e tillë është sa e pamundur aq pa kuptim pasi realisht do të kishim një konkurim për votim midis figurash që pretendojnë se janë mbi partitë duke përdorur makinat elektorale të partive dhe duke shkuar tek një votues i polarizuar që gjithsesi do të bënte zgjedhje partiake.
Ndërkaq, nga ana tjetër, në thelb e njëjta gjë, dmth. mosevitimi i konfliktualitetit, rezulton edhe në rastin e zgjedhjes së një presidenti të panjohur që rrjedh nga konsensusi apo marrëveshja e liderëve të forcave pa pasur një konsultim paraprak as me parlamentin as me mediat as edhe me opinionin e gjerë.  Nëse në rastin e një presidenti nga populli presidenti do të rezultojë qartazi i njërës palë duke bërë që pala tjetër të pranojë humbjen e të ulë kokën, në rastin e presidentit të panjohur do të kemi vazhdimin e një konflikti permanent pa arbitër. Këtë e pohoi edhe vetë Berisha indirekt në emisionin Opinion të Fevziut kur u shpreh se kërkesa për të ndryshuar ligjin mbi prokurorin, si kusht për presidentin konsensual Zaimi, u bë, mes tjerash, edhe për të mos i lënë presidentit të ri të propozuar këtë “barrë të rëndë” sepse kjo do ta komprometonte atë. Kështu palët e arritën konsensusin për presidentin e panjohur, por, sikur ky të mos ekzistonte, vazhduan menjëherë konfliktin për prokurorin pa pyetur fare se kishin zgjedhur një president i cili, edhe me kompetenca kushtetuese, duhet të qe njeriu që do të vendoste për prokurorin.
Kurse ne kemi nevojë për një president i cili të ketë aftësinë e marrjes përsipër të këtyre “barrëve të rënda”; i cili nëse ka bindjen se prokurori duhet zëvendësuar të marrë përgjegjësinë e heqjes së tij ashtu sikurse e kundërta. Ne kemi po ashtu nevojë për një president i cili,  duke qenë garant i Kushtetutës, të emërojë një prokuror që të mos bëhet vegël e asnjërës palë, por t’i shërbejë vetëm ligjit. Një president që të veprojë sipas bindjeve të tij, që të mos jetë palë dhe të mos bëjë padrejtësisht punën e asnjërës palë. Kurse një president i zgjedhur në staturën e të panjohurit e bën atë të pafuqishëm për të kryer me dinjitetet kompetencat që i jep Kushtetuta.
Ja pse në të dy rastet me këto dy lloj zgjedhjesh nuk evitojmë dot atë që Kushtetuta, kur është hartuar, ka menduar me të drejtë: të zgjedhim një presidentin që të mbrojë institucionet nga pushtimi prej palëve në konflikt. Pa një president të tillë edhe reformat për të cilat kemi nevojë rrezikojnë të përdoren në emër të konfliktualitetit.
Fakti që  ne nuk po e zgjedhim dot një president të tillë për shkak të konfliktuailtetit dhe mendësisë parti-shtet e parti-lider është tregues se aq më shumë kemi nevojë për një president të tillë. Kushtetuta në këtë rast duhet të shërbejë si një këmishë force që të mos i lejojë këta liderë të bëjnë atë që duan në emër të konfliktualitetit. Ndryshimi i Kushtetutës në mënyrë që ata të realizojnë atë që duan, qoftë nëpërmjet kërkesës për zgjedhjen e një presidenti nga populli qoftë nëpërmjet një konsensusi që rezulton në zgjedhjen e një të panjohuri, është bash e kundërta e asaj për të cilën kemi nevojë.
Konflitktualiteti që çon në kthimin e institucioneve shtetërore në instrumente të partive mbetet një ndër problemet tona kryesore. Ja pse zgjidhja më e mirë e mundëshme është mbrojtja e kësaj Kushtetute nga të gjithë, jo vetëm deputetët e moderuar, por edhe mediat dhe opinioni publik e shoqëria civile dhe ngulmimi për zgjedhjen e një presidenti me numrin më të lartë të mundshëm të votave mbi 84 që do të merrte përsipër barrën e rëndë që i ngarkon kjo Kushtetutë. Është njëqind herë më mirë të largohen nga kreu i partive liderët konfliktualë sesa të shkelet e ndryshohet Kushtetuta në emër të konfliktualitetit të tyre.

Perpjekja14 Mar 2008 02:23 am

Sa herë lexoj apo dëgjoj në mediat lajme si ai i para dy ditëve, se KRT e Tiranës aprovoi leje të reja ndërtimi, - të cilat nuk janë as një e dy, por 50 e lart, - më kap një ndjenjë e keqe ankthi. Kur tentoj ta zbërthej këtë ndjenjë dalloj qartë të paktën dy përbërës të shkrirë në të. Së pari më duket sikur po më ngushtohet edhe më hapësira jetike dhe vizuale me këto kosheret gjigante prej çimentoje dhe betoni shëmtia estetike e të cilave ma bën edhe më asfiksuese ndjesinë e mbytjes. Por më kap edhe një ndjenjë frike e akumuluar kahershëm në ndërgjegje: cilës shtëpi të vjetër tiranase apo cilës vilë italiane i ka ardhur rradha tani? - them me vete. Është një frikë që tashmë shoqërohet me ndjenjën e resinjacionit prandaj më ngjall edhe një trishtim që amplifikohet nga mungesa, tashmë, e çdo rezistence intelektuale ndaj kësaj masakre të paparë të flamës së çimentos ndaj kujtesës sonë arkitektonike. Aq më tepër kur sheh se mazhorancë e opozitë kanë vendosur ta çojnë sëbashku deri në fund këtë masakër.
Ky trishtim më kapi edhe para disa ditësh kur Top Chanel dha lajmin e djegjes së rradhës, pa dyshim të qëllimshme, të një shtëpie monument kulture, asaj të Vërlacit, që nuk e pashë të komentohet nga ndonjë e përditshme e shkruar. Edhe në lajmin e Topit u dhanë vetëm disa rrënoja në flakë, nuk u dha asnjë foto arkivi ku të shihej se si kishte qenë kjo shtëpi. Nuk pati as ndonjë reagim nga Ministria e Kulturës, Instituti i Monumenteve, intelektualë, artistë apo shkrimtarë. Kam përshtypjen se vetëm emri i njohur i Vërlacit e bëri të futej në lajme dhe se, po të kishte qenë strehuar gjatë Luftës Enver Hoxha apo Nexhmije Hoxha, do të komentohej ca më gjatë, siç u komentua djegja para ndonja dy muajsh e shtëpisë së Mulletit, por jo për humbjen e një monumenti kulture.
Sepse jemi në Makao.
Ç’lidhje ka me ne kjo ish koloni portugeze e kthyer kinezëve më 1999, do të pyesë lexuesi. Në fakt bëra një shoqërim idesh ngase mu kujtua një letër që i shkruan të bijës nga Makao udhëtari, gazetari e intelektuali i shquar italian me origjinë fiorentinase Tiziano Terzani mbi transformimin që ka gjetur atje në krahasim me si e kishte lënë në kohën kur nuk i kishte rënë flama e çimentos. Është një letër që tashmë e kujtoj sa herë dëgjoj për lajme të tilla lejesh të panumërta ndërtimi.
“Gjithshka në Makao është ribërë, riçimentuar. Nga asnjë anë nuk munda të ndjej atë erën e vdekjes që, në fakt, ishte vetë jeta e saj. Do të kisha dashur që për një ditë të isha edhe i verbër edhe i shurdhër dhe pa nuhatje – aq më vriste çdo gjë që shihja, ndjeja, e nuhasja përreth.[…]
Avantazhi që kemi ne evropianët është se kemi ende qytete tek të cilët gjejmë vetveten. Qytete ku nuk kanë ndryshuar të gjitha pikat e referimit, ku ende mund të marrësh një kthesë rruge dhe ta dish se do të ndodhesh përballë një kishe apo një kolone, një peme apo një portiku, një shtëpije të vjetër që është gjithnjë me të njëjtën ngjyrë. Në Makao nuk ishte më as deti për të ma dhënë këtë siguri me frymëmarrjen e tij monotone të valëve që dikur ndesheshin me shkëmbinjtë e mëdhenj. Ata kanë shkulur vendit edhe detin.”
Tani besoj se lexuesi e ka të qartë pse thashë Makao. Sepse edhe ne po shkulim vendit gjithshka, edhe detin, pa kuptuar se çfarë po humbasim në mënyrë të pakthyeshme.
Po a mund të thuhet se po humbasim një gjë kur nuk e dimë se e kemi, pasi nuk kemi ndërgjegjen e vlerës së saj? Kjo është një pyetje që duhet shtruar seriozisht, nëse duam të ruajmë atë çka nuk e kemi humbur ende. Tek e fundit çdo gjë është çështje dijeje apo vetëdijeje dhe nuk thonë kot se padija është nëna e të gjitha të këqijave. Në fakt ne kemi një ministri që është edhe e kulturës edhe e turizmit që duhet ta udhëhiqte këtë ndryshim vlerash në kokat e njerëzve në favor të dijes dhe të vetëdijes për të cilën flet Terzani. E kemi kopiuar modelin nga evropiantë, kur e kemi bashkuar trashëgiminë kulturore me turizmin. Por evropianët e kanë konceptuar kështu sepse shohin një lidhje të ngushtë midis trashëgimisë kulturore dhe turizmit sepse monumentet e kulturës janë ata që tërheqin turistët. Kurse tek ne ministrat e kulturës merren me ngritje fshatrash të reja turistike që shkatërrojnë trashëgiminë e vjetër kulturore e natyrore, që hanë edhe detin. Tek ne ministrat e kulturës bëhen kryebashkiakë dhe qendrën e Tiranës nga monument kulture e kthejnë në shesh ndërtimi pallatesh, që i lyejnë pasta ngjyra ngjyra dhe reklamojnë si turistike bash pallatet dhe ngjyrat e tyre fringo të reja.
Sepse ne nuk jemi në Evropë, jemi në Makao.
“Ku është ylli yt? Në cilat kujtime e gjen orientimin tënd? Ku e ke sigurinë tënde? Imazhit të cilit qyteti i drejtohesh kur do të dish se cili je? Ku do të gjesh forcën për tu ndjerë i ndryshëm në momentin e baticës së të tjerëve?” Këto janë pyetje që shtron Terzani në letrën e tij. Dhe përgjigjen e gjen tek qyteti i tij i lindjes, Firence, dhe vlerat e ruajtura e trashëguara në shekuj të këtij qytetit.
Por ne nuk jemi në Evropën e Firences, jemi në Makao. Në këtë “Makaon” tonë ku konsumizmi është në kufijtë e barbarisë, ku po të guxosh të thuash ndonjë fjalë në mbrojtje të shtëpive të vjetra të lëshohen me taborret e shkarrashkruesve: “ti je kundër zhvillimit”, “je për qerpiçin” “qyteti nuk është një muzeum” “qyteti nuk është një gjë e vdekur, ai është një gjë e gjallë që zhvillohet”. Në fakt, ashtu siç thotë Terzani për Makaon, “vdekja” e shumë prej qyteteve tona ishte jeta e tyre ose shpresa e rigjallërimit të tyre kurse ky gjoja zhvillim është vdekja e tyre e përditëshme nën baticën akulturuese e mbytëse të flamës së çimentos që transformon çdo vlerë arkitektonike e natyrore të qytetit, në koshere gjigante betoni në hojet e të cilave njerëzit mizërojnë në një jetë larg natyrës, kulturës, kujtesës, pa pasur fare nevojë të ndjehen të ndryshëm nga të tjerët.