Top Channel ka bërë disa armiq. Por më tepër armiq ka bërë Digitalb. Një prej tyre, nje miku im, më mori në mes të natës. M’u ankua se duke parë Channel X, i kishte ikur sinjali dhe i kishte dalë Sali Berisha. Një reklamë protestë e Top Medias, që shfaqet njëkohësisht në të gjitha kanalet e Digitalb në kohë të caktuar. Një tjetër shikuese më shkruante gjerë e gjatë se Top Channel ishte kthyer ne ekranin e kryeministrit: “Jam nje teleshikues aqe me teper jam abonent i juaji. Na semuret me Berishen, ne Top Story Berisha, ne Top Shoë, Berisha ne Fix, Berisha në Top Neës, Berisha në Top Channel, Berisha ne Portokalli… S’ja vlen te merresh me të , tani mendoj se u ka dalë gjumi me vonesë. Nuk kam kuptuar sesi ja dhatë voten se si s’mesuat mend. Ky njeri vetëm ka ndermend me fut frik me fut terror ne media ,aqe kane dor por ju nuk duhet qe te humbisni kohen keni plot me cfar te mereni.dicka tjeter…” Keshtu shkruante Suzy. Dhe unë nuk dija çfarë t’i përgjigjesha. Më të thjeshtë e kisha me mikun tim, të cilit i ishte ndërprerë filmi në Channel X në një pikë delikate… Frustrimi i tij ishte më i menaxhueshëm.
Po a po merremi më shumë sesa duhet me diçka që në këtë vit, duhet të mos ishte çështje për debat publik? Thonë se edhe kali nuk rrëzohet dy herë njëlloj. Por në fakt realiteti është i tillë dhe ne nuk e shmangim dot kaq lehtë: Berisha e ka të vështirë të ndërtojë raporte normale me mediat dhe shtypin, pavarësisht se në dy epoka reagimi i tij ka qënë në formë i ndryshëm. Këtu nuk është çështja se po preket liria e një mediaje. Këtu fatkeqësisht nuk është thjesht një problem politik. Megjithë dëshirën për autokritikë, nuk e reduktoj dot bisedën vetëm në një diskutim fiskal. Megjithëse jam një partizan i flaktë kundër gjobave që autoritetet i vënë apo kërkojnë medias dhe gazetarëve – dhe këtu e kam fjalën për të gjithë – përfshirë edhe kërkesën hakmarrëse të kryeprokurorit për gjobë ndaj gazetës TemA - kam frikë se është diçka më tepër se kaq, që duhet të na shqetësojë.
Që kur pashë se fushata në Tiranë e një kandidati, u quajt Marshimi Rural, që kur pashë se spotet televizive të tij në rrugët e kryeqytetit, kishin një casting të përzgjedhur qëllimisht me aksent provincial, që kur ndjeva shfryrjet hakmarrëse të maestrove të PR-it blu ndaj medias kritike ndaj qeverisë, pas dështimit të tyre personal të 18 shkurtit, kuptova se civilizimi po kalonte një sfidë të madhe në vendin tim.
Diçka kisha dyshuar që kur më thanë se një kandidati për ministër i ishte vënë kusht ndarja nga e dashura, në shkëmbim të postit. Por u sigurova për “përplasjen” kur lexova një projektligj për transmetimet numerike – dixhitale – që i kërkon platformave, të transmetojnë programe erotike vetëm në orare të caktuara, vetëm me lejen e KKRT-së dhe vetëm me kriptim.
Projektligjin e lexova disa ditë më pas telefonatës së mikut tim, që kishte ngelur i frustruar me… telekomandë në dorë në mesnatë, ndërsa filmi në Channel X i ishte ndërprerë nga reklama sensibilizuese me fytyrën e kryeministrit. Dhe të gjithë dyshimet për teprimet e mundshme mbrojtëse nga ana e Topit apo Digitalb-it, m’u fashitën, përballë rrezikut iminent të përplasjes së civilizimeve.
Në këtë vend shumë shpejt masturbimi nuk do të jetë më i mundshëm. Qeveria po ngrihet kundër Channel X. Qeveria po hyn dhunshëm në sallonet dhe dhomat e gjumit. Qeveria po hyn sërish në xhepat e njerëzve. Qeveria po merret me biznesin, me qytetarët. Ndërkohë duhet të punonte për ta. Qeveria po merret me median, ndërkohë që janë mediat që zakonisht merren me qeverinë.
Ndaj miku im i frustruar nga reklama politike në Channel X, ka gjasë që duhet t’i frikësohet diçkaje tjetër: kanalin rozë duan ta “kriptojnë” përgjithmonë. Një lajm i mirë vetëm për gruan e vet…