Sa herë lexoj apo dëgjoj në mediat lajme si ai i para dy ditëve, se KRT e Tiranës aprovoi leje të reja ndërtimi, - të cilat nuk janë as një e dy, por 50 e lart, - më kap një ndjenjë e keqe ankthi. Kur tentoj ta zbërthej këtë ndjenjë dalloj qartë të paktën dy përbërës të shkrirë në të. Së pari më duket sikur po më ngushtohet edhe më hapësira jetike dhe vizuale me këto kosheret gjigante prej çimentoje dhe betoni shëmtia estetike e të cilave ma bën edhe më asfiksuese ndjesinë e mbytjes. Por më kap edhe një ndjenjë frike e akumuluar kahershëm në ndërgjegje: cilës shtëpi të vjetër tiranase apo cilës vilë italiane i ka ardhur rradha tani? - them me vete. Është një frikë që tashmë shoqërohet me ndjenjën e resinjacionit prandaj më ngjall edhe një trishtim që amplifikohet nga mungesa, tashmë, e çdo rezistence intelektuale ndaj kësaj masakre të paparë të flamës së çimentos ndaj kujtesës sonë arkitektonike. Aq më tepër kur sheh se mazhorancë e opozitë kanë vendosur ta çojnë sëbashku deri në fund këtë masakër.
Ky trishtim më kapi edhe para disa ditësh kur Top Chanel dha lajmin e djegjes së rradhës, pa dyshim të qëllimshme, të një shtëpie monument kulture, asaj të Vërlacit, që nuk e pashë të komentohet nga ndonjë e përditshme e shkruar. Edhe në lajmin e Topit u dhanë vetëm disa rrënoja në flakë, nuk u dha asnjë foto arkivi ku të shihej se si kishte qenë kjo shtëpi. Nuk pati as ndonjë reagim nga Ministria e Kulturës, Instituti i Monumenteve, intelektualë, artistë apo shkrimtarë. Kam përshtypjen se vetëm emri i njohur i Vërlacit e bëri të futej në lajme dhe se, po të kishte qenë strehuar gjatë Luftës Enver Hoxha apo Nexhmije Hoxha, do të komentohej ca më gjatë, siç u komentua djegja para ndonja dy muajsh e shtëpisë së Mulletit, por jo për humbjen e një monumenti kulture.
Sepse jemi në Makao.
Ç’lidhje ka me ne kjo ish koloni portugeze e kthyer kinezëve më 1999, do të pyesë lexuesi. Në fakt bëra një shoqërim idesh ngase mu kujtua një letër që i shkruan të bijës nga Makao udhëtari, gazetari e intelektuali i shquar italian me origjinë fiorentinase Tiziano Terzani mbi transformimin që ka gjetur atje në krahasim me si e kishte lënë në kohën kur nuk i kishte rënë flama e çimentos. Është një letër që tashmë e kujtoj sa herë dëgjoj për lajme të tilla lejesh të panumërta ndërtimi.
“Gjithshka në Makao është ribërë, riçimentuar. Nga asnjë anë nuk munda të ndjej atë erën e vdekjes që, në fakt, ishte vetë jeta e saj. Do të kisha dashur që për një ditë të isha edhe i verbër edhe i shurdhër dhe pa nuhatje – aq më vriste çdo gjë që shihja, ndjeja, e nuhasja përreth.[…]
Avantazhi që kemi ne evropianët është se kemi ende qytete tek të cilët gjejmë vetveten. Qytete ku nuk kanë ndryshuar të gjitha pikat e referimit, ku ende mund të marrësh një kthesë rruge dhe ta dish se do të ndodhesh përballë një kishe apo një kolone, një peme apo një portiku, një shtëpije të vjetër që është gjithnjë me të njëjtën ngjyrë. Në Makao nuk ishte më as deti për të ma dhënë këtë siguri me frymëmarrjen e tij monotone të valëve që dikur ndesheshin me shkëmbinjtë e mëdhenj. Ata kanë shkulur vendit edhe detin.”
Tani besoj se lexuesi e ka të qartë pse thashë Makao. Sepse edhe ne po shkulim vendit gjithshka, edhe detin, pa kuptuar se çfarë po humbasim në mënyrë të pakthyeshme.
Po a mund të thuhet se po humbasim një gjë kur nuk e dimë se e kemi, pasi nuk kemi ndërgjegjen e vlerës së saj? Kjo është një pyetje që duhet shtruar seriozisht, nëse duam të ruajmë atë çka nuk e kemi humbur ende. Tek e fundit çdo gjë është çështje dijeje apo vetëdijeje dhe nuk thonë kot se padija është nëna e të gjitha të këqijave. Në fakt ne kemi një ministri që është edhe e kulturës edhe e turizmit që duhet ta udhëhiqte këtë ndryshim vlerash në kokat e njerëzve në favor të dijes dhe të vetëdijes për të cilën flet Terzani. E kemi kopiuar modelin nga evropiantë, kur e kemi bashkuar trashëgiminë kulturore me turizmin. Por evropianët e kanë konceptuar kështu sepse shohin një lidhje të ngushtë midis trashëgimisë kulturore dhe turizmit sepse monumentet e kulturës janë ata që tërheqin turistët. Kurse tek ne ministrat e kulturës merren me ngritje fshatrash të reja turistike që shkatërrojnë trashëgiminë e vjetër kulturore e natyrore, që hanë edhe detin. Tek ne ministrat e kulturës bëhen kryebashkiakë dhe qendrën e Tiranës nga monument kulture e kthejnë në shesh ndërtimi pallatesh, që i lyejnë pasta ngjyra ngjyra dhe reklamojnë si turistike bash pallatet dhe ngjyrat e tyre fringo të reja.
Sepse ne nuk jemi në Evropë, jemi në Makao.
“Ku është ylli yt? Në cilat kujtime e gjen orientimin tënd? Ku e ke sigurinë tënde? Imazhit të cilit qyteti i drejtohesh kur do të dish se cili je? Ku do të gjesh forcën për tu ndjerë i ndryshëm në momentin e baticës së të tjerëve?” Këto janë pyetje që shtron Terzani në letrën e tij. Dhe përgjigjen e gjen tek qyteti i tij i lindjes, Firence, dhe vlerat e ruajtura e trashëguara në shekuj të këtij qytetit.
Por ne nuk jemi në Evropën e Firences, jemi në Makao. Në këtë “Makaon” tonë ku konsumizmi është në kufijtë e barbarisë, ku po të guxosh të thuash ndonjë fjalë në mbrojtje të shtëpive të vjetra të lëshohen me taborret e shkarrashkruesve: “ti je kundër zhvillimit”, “je për qerpiçin” “qyteti nuk është një muzeum” “qyteti nuk është një gjë e vdekur, ai është një gjë e gjallë që zhvillohet”. Në fakt, ashtu siç thotë Terzani për Makaon, “vdekja” e shumë prej qyteteve tona ishte jeta e tyre ose shpresa e rigjallërimit të tyre kurse ky gjoja zhvillim është vdekja e tyre e përditëshme nën baticën akulturuese e mbytëse të flamës së çimentos që transformon çdo vlerë arkitektonike e natyrore të qytetit, në koshere gjigante betoni në hojet e të cilave njerëzit mizërojnë në një jetë larg natyrës, kulturës, kujtesës, pa pasur fare nevojë të ndjehen të ndryshëm nga të tjerët.