Mbi artikullin për Shqipërinë “Toka që koha harroi” nga A. A. Gill (në foto), botuar dje (23 Korrik, 06) në britaniken “The Sunday Times Magazine” (suplementi i së djelës)

Lajmi se na qenkësh botuar një shkrim për Shqipërinë në gazetën angleze “The Sunday Times”, doli nga vetë faqet e saj, çau mes për mes kontinentin dhe arriti në dyert e mediave tona. Pak a shumë e njëjta ironi si te “Legjenda e Misrit” me përjashtim se kësaj rradhe artikullin s’e kish shkruar i Madhi MIGJENI por një gazetar i rëndomtë me një emër të cuditshëm AA Gill i cili e kish njohur vendin tonë nga distanca.

E ndërsa shqiptarët e Shqipërisë dhe Kosovës po mundohen të bëjnë hapa përpara drejt institucioneve europiane, pavarësisë së tyre si komb dhe paprekshmërisë së të drejtave të njeriut, shqetësuese është që të shkruhet një artikull i tillë nga një kryeqytet i madh dhe i respektuar sic është Londra.
Zoti apo zonja Gill thotë se aeroporti jonë kombëtar quhet “Nënë Tereza” pasi është e vetmja shqiptare e famshme dhe kjo e fundit u largua nga vendi pse këtu ka popullsi 70% muslimane.
Por gazetari harron, ose më saktë nuk ka informacionin e nevojshëm, se Skënderbeu, Aleksandër Moisiu, Ismail Kadare dhe shumë të tjerë, kanë qenë dhe janë shqiptarë, njerëz të lindur dhe rritur në atë vend që gazeta “The Sunday Times” e quan të harruar nga koha.

E sikur të mos mjaftonin vetëm këto, artikulli vijonte më pas me disa akuza demagogjike të cilat kapeshin pas emrave të kompanive ajrore.Kaq e nevojshme ishte vallë që emrin Albatros, që është sipas tyre një zog ogurzi, ta identifikonin me simbolin tonë kombëtar.Me siguri se keni harruar faktin që ne kemi shqiponjën dykrenare në flamur.Si duke s’keni cfarë të shkruanit tjetër dhe e zgjasni artikullin në atë farë menyrë sa arrini të thoni se adoleshentët shqiptarë janë ato që vishen më keq në Europë.Pa dashur t’i bëj reklamë ndonjë biznesi rrobash, s’po përmend emra por ju bëj thirrje juve dhe të tjerëve të cilet kanë dyshim të tilla, të dalin një shëtitje në dyqanet tona dhe në bulevarde gjithashtu.

Të rinjtë tanë janë ato të rinj të cilët kanë dalë me rezultate të shkëlqyera në vendin tuaj.
Janë ato të rinj që ndjekin universitetin e Oxfordit disa kilometra larg redaksisë tuaj dhe që ngrejnë flamurin e shkollës vit për vit si shenjë nderi që u japin në rradhë të parë rezultatet e tyre në mësime e më pas shoqëria dhe komunitetin ku jetojnë dhe edukohen çdo ditë.
Te gjithe e dinim se gazetaret edhe i ekzagjerojne gjerat deri diku, por jo deri aty sa te flasin per nje komb mijeravjecare sikur po flasin per nje lagje te Kandaharit.

S’është faji jonë pse kemi një arkitekturë të kryeqytetit të trashëguar.Ç’rendesi ka se është arkitekturë fashiste apo komuniste, siç e quani ju.Ne s’dijmë ndonjë rast ku Shqipëria e vogël në drejtimin e fashistëve italiane apo komunistëve shqiptarë të këtë kryer ndonjë agresion ndaj një shteti tjetër?
S’e kemi pushtuar ne Indinë dhe as filmi “Sandokan” s’është prodhim i Kinostudios “Shqipëria e Re” por është dhimbje i atij populli që ju e keni bërë të vuaj gjatë, sikurse ne Perandoria Osmane.
Po mundoheni ta identifikoni Shqipërinë si një komb që këtë zhvillim e ka si pasojë të kulturës së saj.
Ne e kemi prejardhjen nga pellazgët e ilirët, njerëz të cilët që në kohët e lashta ndryshe nga popujt e tjerë, hanin ulur sic hame ne sot ne Shek XXI dhe jo shtrirë.

Besoj se e kuptoni trashëgimin kulturore dhe historike që kemi ne sot.Jetojmë me shpresë por jo me ndjenjën e keqdashjes ndaj të tjerëve.Kjo na ka bërë tu rezistojmë shekujve dhe Konferencës së Ambasadorëve në Londër qe ishte pjelle e politikes tuaj me 1913.
Në qoftë se se dini as këtë, më mirë heshtni!

PS: Artikullin e “The Sunday Times” mund ta gjeni ketu: http://www.timesonline.co.uk/article/0,,2099-2271185,00.html