Berti ka rreth 16 vjet që është bërë figurë publike. Dikur rrinte tek dera e Televizionit Shqiptar. Atëherë na thoshte teori konspirative mbi tunele të fshehta që lidhnin Komitetin Qëndror me Godinën 18. Dhe ndërsa të gjithë e konsideronin të çmendur, kishte nga ata që u vunë në mendime: a mos vallë pas tuneleve të Bertit, fshihej një simbolikë tjetër?
Vitet kalonin dhe megjithëse nuk ka asnjë provë për tunelet që sipas Bertit, lidhnin Godinën 18 me Komitetin Qëndror, provat që lidhin lëvizjet demokratike me ish strukturat e partise komuniste, nuk eshte se kane munguar. Kjo më ka bërë shpesh të mendoj nëse Berti është i çmendur vërtet, apo ka një rol të vetin që e luan “çmendurisht” mirë? Dhe njerëz si unë me dilemën për Bertin nuk janë pak. Për të mbështetur këtë hipotezë ka disa argumenta. Më i forti prej tyre është se të çmendurit nuk i kanë rezistuar përmbysjeve të mëdha dhe shembull merret Gëzim Kulufi, që u zhduk pas vitit 1991 dhe nuk e mori vesh njeri ku shkoi. Të njëjtin fat pati edhe Lad Marksisti. Po Berti si i mbijetoi furtunave?
Sot ai rri para derës së Top Channel. Berti nuk ka hequr dorë. Ai vazhdon me teoritë e tij konspirative. Tani flet për mbyllje dhe sekuestrim mediash. Flet për Top Channel dhe Telesport. Flet dhe sheh nga rrugica përballë ku rrin Kryeministri. Sa seriozisht duhet ta marrim Bertin?
Gjithsesi këmbëngulja e tij nuk e bën personazhin e vetëm të fiksuar me diçka. Berti ka fiksim televizionet. Po sikur për shembull të kishte fiksim Presidencën?
Atëherë çështja do të komplikohej. Përballë do të kishte Godon, Topin, ndërsa nga e majta Finon, Doklen, Ermelindën. Pa harruar edhe Aleksandër Bushatin e shoqërisë civile. Pa harruar “gjyshin” vetë, që gjithsesi e ka akoma një shans teorik. Dhe me Bertin nuk bëhet shaka. Ai vërtet duket I çmendur, por gjërat që thotë, I ka të rënda dhe me peshë. Puna është se nuk ka veshë që ta dëgjojnë. Berti flet për politikën, për mediat dhe jam I sigurt se po ta ftonin tek “60 minutat” ai do të kishte qenë I pari që do të kërkonte debat me Topin dhe Godon. Por tek persistenca për të arritur një qëllim, ai ka një rival të fortë.
Edhe ky personazh si Berti, ka 16 vjet që ka dalë në skenë. Edhe ai si Berti di shumë për tunelet që lidhnin Komitetin Qëndror me Godinën 18 të qytetit Studenti (është ajo godina ku lindi partia tjetër). Edhe ky si Berti ka shumë vjet që rri tek trau I një institucioni. E sheh nga jashtë. I shkel syrin. I flet, I thotë: “Më prit se erdha”. Flet për këtë institucion, kudo, edhe tek “60 minutat”. Kërkon debat me Topin dhe Godon. Ndryshimi I vetëm me Bertin, është se ka qenë disa herë në krye të vendit. Eshtë bashkëpërgjegjës për situatën në vend. Sot, ashtu si Berti, pak I intereson vendi dhe situatat. I intereson Presidenca dhe “rri” gjithë ditën tek trau i saj, si Berti tek trau i Topit.
Po unë kam shumë arsye të them, se nëse Berisha do të na japë mundësinë që presidentin ta zgjedhim vetë, unë do të zgjidhja Bertin. Qoftë edhe për të ruajtur traditën e mirë, të presidentëve beqarë. Jo rrallë gratë të marrin në qafë…