TE premten gazetat dhanë një alarm të madh. Të gjithë krerët e shtetit ishin jashtë. Duke filluar nga Moisiu në Pragë, tek Berisha në Bruksel, tek Oketa në Itali. Edhe Topalli ishte jashtë. Më pas u zbulua se edhe Rama kishte shkuar në Hollandë. Në parlament seancën e drejtoi Fatos Beja, ndërsa pasi ai u lodh, situatën dhe foltoren në dorë e mori Lufter Xhuveli. Ministri i Bujqësisë e pa veten mbret për pak orë. Më pas u mësuan hollësi të tjera, se drejt Brukselit kishte shkuar edhe Nano, ku sipas thashethemeve, pritet që pas kreut të Natos, të takojë edhe Berishën, megjithëse pritet që stafet e dy palëve, që përhapën këtë lajm paraprakisht, ta mohojnë atë pasi ai të ndodhë.
Gazetat e pritën lajmin me shqetësim: kush ka frenat e shtetit në dorë? Po nëse na sulmojnë, kush do të drejtojë ushtrinë? Kush? Kush? Kuuuuuuuuuuuuuuuuuush? Unë në fakt e prita ndryshe këtë zhvillim. Që kur u zgjova në mëngjes, e ndjeva se do të ishte një ditë e veçantë, nga ato që të ndjellin të vishesh bukur, megjithëse koha jashtë premtonte stuhi. Kur dola në rrugë, pashë fytyra njerëzish me të qetë. Edhe semaforët respektoheshin më shumë, policët merrnin frymë më lirshëm. Gazetat lexoheshin më pak, lajmet në ekrane u çliruan nga qerthulli i mbyllur i mikrofonave rreth politikanëve. Kundërshtitë vakuumin kushtetues, i lanë vendin krizës energjitike dhe një problemi ekologjik në brigjet e Semanit! U ndjeva vërtetë mirë në Shqipërinë e gdhirë ndryshe të premten në mëngjes!
“Të gjithë halet ikën!” do klithte në sociodialektin tiranas Ramadani i Portokallisë, sikur ta linin të komentonte situatën e Shqipërisë pa liderët e saj historikë. Kujtoj jo pa shaka, se kur në vitin 2000, Doris Pack dhe Brukseli paguan një charter që të sillte në kryeqytetin europian Lëngatën e Tranzicionit - ajo herë kur anëtari i saj Milo u përlesh keqazi me “ambasadorët” e Mërgatës së Qyqeve - nuk qenë të rrallë tironsit e bordurave, që prodhuan barcaletën e fundit të humorit të zi të bulevardit: atë të rrëzimit “pa dashje” të charter-it, ku udhëtonte i gjithë tranzicioni politik dhe problematik shqiptar.
Natyrisht që kjo nuk ndodhi. As nuk shpreson njeri që një gjë e tillë të ndodhi prapë. “Do vijnë prapë halet”, do thoshte Ramadoni. E vërtetë, rrufeja zgjedh zakonisht vende më të thata për të rënë. Por derisa kjo të ndodhë, pra derisa ATA të kthehen, qytetarët do të shijojnë një fundjavë të qetë. Pa Nanon, pa Berishën, pa Ramën, pa Topallin, bile edhe pa presidentin që dikur e zgjodhën në mënyrë konsensuale, e sot duan ta heqin me shkelma nga presidenca. Kjo është një fundjavë e lumtur. Gëzojeni, sa kohë ende mundeni. Ata, do vijnë prapë…