Ende e kam të gjallë skenën e rreth 18 viteve më parë, kur kryetari i Frontit Demokratik të lagjes, një 40 vjeçar që për efekt uniforme kishte vënë kasketë, ruajti momentin kur babai im doli nga shtëpia dhe erdhi dhe trokiti në derë i shoqëruar nga dy veta me një shirit të kuq në krah. “Antenën, tha - duhet ta hiqni”. Ime më, e habitur dhe natyrisht edhe e trembur, nuk dinte cfarë t’I thoshte. Ndërsa unë vazhdoja t’i mbaja me muhabet, ajo nxitoi të hidhte një mbulesë mbi një pajisje të sajuar e ngjitur me kallaj, vendosur diku pranë dritares. Të paktën të mos shihnin kanoçen…
Natyrisht që anëtarët e Frontit na kishin toleruar më shumë sesa duhet. Antena, ose “rrjeta” jonë ngrihej rreth 6 metra mbi të tjerat dhe ajo binte shumë në sy. Fronti Demokratik nuk mund ta lejonte këtë. Por ajo që na habiti pak më vonë, ishte fakti se nuk bëhej fjalë për një aksion total dhe kolektiv. Jo. Duhej hequr vetëm antenna jonë. Më pas im atë u mendua gjatë se përse po na ndodhte kjo gjëmë. Përse e kishin vetëm me rrjetën tonë?
Më pas e kuptoi dhe përplasi dorën mbi tavolinë. “Gëzimi, tha - ma ka bërë Gëzimi”. Gëzimi ishte një komshi i vjetër. Dhe ai i sëmurë si im atë, me modelet më të reja të antenave, kanoçeve dhe përforcuesve. Dhe ai kishte një antenë të lartë. Por e jona ishte më e lartë. Ajo kapte më mirë RAIDUE dhe kanalin e dytë të Beogradit. Dhe kjo nuk durohej. Përveç të tjerave, dy net më parë kishim parë një ndeshje të Kupës së Kampionëve, ku sinjali vinte xham. Komshiu ynë kishte kaluar një mbrëmje të vështirë në tarrace, duke lëvizur antenën dhe varaqet e shisheve të kosit nëpër kabllo, por nuk e kishte parë dot ndeshjen e madhe. Kjo shpjegonte reagimin e tij dhe raportimin tek kryetari i ri me kasketë i Frontit Demokratik. Por nuk shpjegonte dot përse kryetari i frontit nuk bëri as përpjekjen më të vogël për të hequr dhe antenat e tjera. A mos vallë edhe ky nuk kishte parë ndeshjen e së mërkurës?
Një gjë ndodhi më pas. Babai u nxeh. U nxeh me regjimin, por në atë kohë nuk ngrihej dot kundër tij. kështuqë përdori regjimin për t’u mbrojtur. Kështuqë herën tjetër e hapi vetë derën kur erdhi delegacioni i Frontit. “Nuk e heq, u tha - më duhet për punë”. Fronti u tërhoq. Babai punonte në RTSH. Atij i duhej të shihte kanalet e huaja për përvojë. Nuk di si e hëngri fronti këtë gënjeshtër. Mjafton që ta kishte verifikuar tek zyra e Bashkimeve Profesionale të RTSH dhe babai im do ta paguante shtrenjtë gënjeshtrën e tij. Por edhe vetë funksionarët e regjimit, e kishin me frikë ta vinin sistemin e tij në provë. Ata mjaftoheshin me retorikën e dukshme. Pse të merreshin me antenën e babait tim? Pak antena të tjera kishin për të hequr?
Por ndërkohë ishte fundi i vitit 1989. Në më pak se 12 muaj gjërat ndryshuan. Kryetari i Frontit pas pak muajsh hoqi kasketën. Djali i tij u duk me xhinse në rrugë. Antenat filluan të pyllëzojnë tarracën e pallatit të tij. Pushteti po merrte sinjalet e para të ndëshkimit: nga antenat.
Çdo regjim ka një fiksim me antenat. Një kolege serbe në Londër më tregonte, se pas sulmeve të NATO-s ende mbi 60 përqind e të anketuarve në Serbi, besonin se ka një aleancë të mbështetur nga alienët, që përmes amerikaneve dhe anglezëve donin të shkatërronin Serbinë dhe Kinën. Mbi 60 përqind e banorëve të Beogradit, nuk shihnin asnjë kanal tjetër, përvec RTS 1 dhe RTS 2, dy kanalet zyrtare. Kjo përqindje në provincë thellohej.
Dikush pranë qeverisë, shkruante para pak kohësh, se humbja e PD në 18 shkurt, ishte e thellë aty ku shihej Top Channel. Ka gjasë që të ketë pasur të drejtë. Sot kryeministri po i fik ca nga këto antena. Ndoshta mendon se faji është aty. Por në fakt ndoshta është diku tjetër.
Fiksimet me antenat gjithsesi nuk janë gjë e mirë, as për qeveritë, as për njerëzit dhe as për vetë televizionet. Por regjimeve që merren me to, zakonisht u bien kasketat….